Rama: Shqipëria drejt një sistemi të ri prokurimesh publike me Inteligjencë Artificiale
Dritare.net

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me negociatoren për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik” dhe drejtoreshën e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, zhvilluan sot një konferencë për media ku u fol për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në fushën e prokurimeve publike.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te disa gjetje nga një raport i Gjykatës Evropiane të Llogarive për vendet e BE-së, duke përmendur uljen e konkurrencës në kontratat publike dhe mungesën e ndërgjegjësimit për rëndësinë e saj si parakusht i integrimit evropian. Ai tha gjithashtu se pjesëmarrja në disa raste mbetet ende në nivele të pakënaqshme.
Kryeministri njoftoi se qeveria po punon për ngritjen e një sistemi të ri elektronik të prokurimeve publike, i cili do të mbështetet nga inteligjenca artificiale, përmes një projekti të lidhur me një figurë digjitale të quajtur “Diella”.
Sipas Ramës, sistemi i ri do të mundësojë që të gjitha procedurat e prokurimit të zhvillohen online, duke garantuar transparencë të plotë dhe gjurmueshmëri të çdo hapi të procesit. Ai theksoi se projekti synon të eliminojë përdorimin e dokumenteve fizike dhe të thjeshtojë ndjeshëm ndërveprimin e bizneseve me administratën publike.
Rama deklaroi se për këtë projekt janë hartuar rreth 450 faqe specifikime teknike nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, të cilat janë shqyrtuar edhe nga Banka Botërore, e cila sipas tij ka dhënë miratimin pa kundërshtime për vijimin e fazës së ndërtimit të sistemit.
Ai shtoi se Shqipëria ka bashkëpunuar me ekspertë nga vende të ndryshme dhe ka zhvilluar edhe një workshop me 16 shtete që aplikojnë elemente të inteligjencës artificiale në prokurime publike. Megjithatë, sipas Ramës, projekti shqiptar synon të jetë më i avancuar duke integruar të gjithë procesin në një sistem të vetëm të automatizuar.
Sistemi, sipas tij, do të lidhet me mbi 40 regjistra publikë dhe do të mundësojë që bizneset të kryejnë të gjitha procedurat me vetëm një klik, nga studimi i tregut deri te monitorimi i kontratave.
“Diella” do të përdorë algoritme të inteligjencës artificiale për të garantuar paanshmëri dhe efikasitet në proces, duke shënuar, sipas kryeministrit, një transformim të thellë në mënyrën se si realizohen prokurimet publike në Shqipëri.
Rama e cilësoi këtë nismë si një “kapërcim nga një epokë në tjetrën” dhe një reflektim të drejtpërdrejtë të përfitimeve që teknologjia dhe inteligjenca artificiale mund t’u sjellin vendeve në zhvillim si Shqipëria./L.F-dritare.net