Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

BE dhe Ballkani Perëndimor mblidhen në Bruksel. Ja sa përfiton Shqipëria nga Plani i Rritjes!

BE dhe Ballkani Perëndimor mblidhen në Bruksel. Ja sa përfiton

Ministrat e Punëve të Jashtme të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian zhvilluan sot në Bruksel një takim të përbashkët me homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku mori pjesë edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Takimi u drejtua nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, lufta në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme, si edhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet aktualisht BE-ja.

Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua procesit të integrimit evropian të vendeve të rajonit, veçanërisht Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat konsiderohen si dy vendet më të avancuara në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Bashkimi Evropian do të disbursojë rreth 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, procesi i integrimit gradual po jep rezultate konkrete, duke përmendur edhe bashkimin e Serbisë në sistemin SEPA, krahas Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

"Në zbatimin e Planit të Rritjes gjithçka po ecën mirë dhe në ditët në vijim do të disbursojmë afro 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Gjithashtu po sjellim rezultate konkrete sa i përket integrimit gradual, pasi, siç e dini, javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në SEPA".

Kos bëri të ditur gjithashtu se më 5 qershor në Podgoricë do të zhvillohet Samiti i radhës BE–Ballkani Perëndimor, ku pritet një angazhim i fortë nga vendet kandidate për të vijuar rrugën drejt integrimit evropian./L.F-dritare.net