Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pse nisi tani aksioni për ndërtimet pa leje? Flet Rama!

Pse nisi tani aksioni për ndërtimet pa leje? Flet Rama!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për nisjen e aksioneve kundër ndërtimeve pa leje, duke theksuar se kjo nuk është një lëvizje e momentit, por pjesë e një beteje të përditshme për mbrojtjen e territorit dhe zbatimin e ligjit.

Në një deklaratë të bërë ditët e fundit, Rama u shpreh se aksioni aktual është rezultat i një procesi të gjatë pune dhe ndërhyrjesh institucionale, duke shtuar se sfida e ndërtimit pa leje nuk mund të zgjidhet vetëm me aksione të izoluara, por kërkon bashkërendim të plotë institucional dhe mbështetje të sistemit të drejtësisë.

“Për të gjithë ata që thonë pse u kujtuam tani dhe pse i lamë këto, kjo është një betejë e përditshme. Nëse struktura e drejtësisë është si një kullojëse makaronash ku faktet rrjedhin, atëherë faktet e kryera mbeten në territor,” u shpreh Rama me tone të forta.

Ai theksoi gjithashtu se përvoja në terren ka treguar domosdoshmërinë për një reformë të re të kontrollit mbi territorin, që do të përfshijë Inspektoratet vendore, policitë bashkiake, zyrat e urbanistikës dhe IKMT-në. Sipas tij, synimi është të krijohet një sistem më funksional dhe më efikas, që ofron shërbim cilësor për qytetarët dhe bashkitë, pavarësisht burimeve njerëzore që ato kanë në dispozicion.

Rama solli si shembull Thethin, ku janë realizuar legalizime dhe investime për përmirësimin urban, duke theksuar se ndërtimet e vjetra janë trajtuar me kujdes institucional, ndërsa ndërhyrjet e paligjshme do të ndëshkohen.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si disa kantiere ndërtimi vendosin kufij arbitrar, duke zënë hapësira publike si trotuare dhe duke krijuar probleme për qytetarët, siç ndodhi në Lungomaren e Vlorës.

“Na duhet një punë e përbashkët për rregullat e reja të kantierëve, për të mbrojtur mjedisin dhe për të ndalur ndërhyrjet që krijojnë kaos përtej kufijve të tyre,” përfundoi Rama.

Aksioni i nisur për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se nuk do të ketë tolerime për shkelësit e ligjit./Ll.F-dritare.net