
Rama: Bektashizmi, një thesar shqiptar që s’do e lemë të shuhet!
Dritare.net
Në shtator të vitit 2024, në një fjalim historik në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Edi Rama njoftoi synimin për të krijuar një mikroshtet të pavarur bektashi në zemër të Tiranës.
Në një intervistë ekskluzive për dokumentarin kushtuar bejtashizmit, e gazetarit britanik Robert Hackman, ne Dritare Tv, Rama shpjegon se kjo nismë nuk është thjesht simbolike, por një mënyrë për të mbrojtur dhe ruajtur një nga thesaret më të çmuara shpirtërore të Shqipërisë: Kryeministri shqiptar u shpreh:
“Bektashizmi është një urdhër shumë i veçantë dhe një thesar kombëtar për ne. Ndryshe nga komunitetet e tjera fetare, bektashinjtë nuk kanë përkrahje ndërkombëtare dhe janë të vetmuar në përpjekjen për të mbijetuar. Duke u dhënë një status të veçantë, i japim një garanci ekzistence.”
I pyetur për ndikimin që kjo mund të ketë në raportet ndërfetare në vend, Kryeministri u shpreh se nuk ka arsye për përçarje:
“Nuk është një garë. Komunitetet e tjera kanë mbështetje të fuqishme jashtë vendit. Bektashinjtë nuk kanë. Dhe në një vend që krenohet për harmoninë fetare, kjo nismë është një mënyrë për të ruajtur këtë harmoni.”
Sipas Ramës, mikroshteti bektashi do të ngrihet në territorin ku ndodhet aktualisht Kryegjyshata Botërore Bektashiane në Tiranë dhe do të ketë një status të veçantë juridik dhe kulturor, si një përpjekje për ta bërë Shqipërinë sërish një shembull botëror të bashkëjetesës dhe vlerave shpirtërore./dritare.net

















