Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Programi për shëndetësinë/ Rama: Paga e mjekëve do prekë tavanin 2000 euro. QSUT, qendër ekselence e rajonit

Programi për shëndetësinë/ Rama: Paga e mjekëve do

Shëndetësia ishte një tjetër shtyllë kryesore e programit me angazhime konkrete që prezantoi sot Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Rama sqaroi fillimisht se “kur morëm detyrën buxheti i shëndetësisë ishte vetëm 250 milionë euro. Sot ai është trefishi, 760 milionë euro.”.


“Duke përllogaritur edhe buxhetin për mbështetjen sociale, i cili u dyfishua nga 130 milionë euro në 2013 në 260 milionë euro në 2024, shëndetësia dhe mbrojtja sociale marrin sot 1 miliardë euro në vit nga buxheti i shtetit”, tha ai.

Rama shtoi se nga koha kur morëm detyrën janë rindërtuar nga e para 400 ambulanca dhe qendra shëndetësore.

Në Shqipërinë 2030, sipas kreut të qeverisë, që të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat do të jenë plotësisht të rindërtuara.

Janë ndërtuar 53 spitale të reja, prej të cilëve 10 nuk egzistonin fare, ndërkohë që 43 janë shembur dhe rindërtuar nga e para.

Gjatë mandatit të katërt, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të transformohet në qendrën më të mirë spitalore universitare të rajonit, e cila do të funksionojë në sinergji me disa ndër qendrat më të mira të botës, duke filluar nga SHEEBA Hospital, e cila ka nisur me marrjen e drejtimit të Onkologjikut.

Kjo qendër, tha Rama, do t’i ulë drastikisht ikjet e shqiptarëve jashtë vendit për të marrë një shërbim spitalor, si edhe do të rrisë prestigjin e Shqipërisë edhe si një destinacion shërbimi shëndetësor.

Nga viti 2013 çmimet e barnave janë ulur me 30%. Ndërkohë, kemi dyfishuar fondin për barnat e rimbursueshme dhe shtuar 200 medikamente të reja në listën e barnave tërimbursueshme. Plot 210 mijë pensionistë përfitojnë sot 100% barna të rimbursueshme, ndërsa 600 mijë qytetarë të pasiguruar marrin shërbimin njësoj si të tjerët, edhe pse nuk kanë paguar ndër vite sigurimet e tyre shëndetësore.

Rama u ndal edhe te rritja e pagave duke sqaruar se “qëkur morëm detyrën, paga mesatare e mjekëve është rritur mbi tre herë: Nga 490 euro në vitin 2013 në 1670 euro në vitin 2024.”

Ndërkohë, vijoi ai, në Shqipërinë 2030 ne duam që paga e mjekëve të prekë tavanin e 2000 eurove.

Ndërkohë, paga mesatare e infermierëve është bërë trefish: Nga 280 euro në vitin 2013 në 850 euro në vitin 2024.

Kur morëm detyrën urgjenca mjekësore ishte krejt e shpartalluar dhe nga 100 autoambulancat në inventarin e saj, një pjesë kishin vite pa lëvizur.Gjatë kësaj periudhe jo vetëm kemi krijuar një flotë me 320 autoambulanca të reja e të mirëpajisuara me të gjitha mjetet e ndihmës së parë, por kemi ngritur një Urgjencë Kombëtare shembullore të standarteve europiane, duke e shkurtuar kohën e mbërritjes së autoambulancës në jo më shumë se 15 minuta nga marrja e njoftimit.

Programi i check-up do të vazhdojë të ofrohet falas për të gjithë pensionistët, ndërkohë që do të rrisim kufirin e moshës për përfituesit./L.F-dritare.net