Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Koha e paqes mbaroi. Gjermania vendos të lërë historinë në të shkuarën dhe të përgatitet për luftë

Koha e paqes mbaroi. Gjermania vendos të lërë historinë

BBC

Gjermania po përgatitet për një përballje të mundshme me Rusinë, ndërsa investimet në ushtri po rriten ndjeshëm. Parlamentit i dha dritën jeshile Bundeswehrit për të përfituar fonde të reja, duke anashkaluar kufizimet e borxhit për mbrojtjen.

Kreu i ushtrisë gjermane, gjenerali Carsten Breuer, paralajmëron se Rusia mund të sulmojë NATO-n brenda katër vitesh. “Ne jemi të kërcënuar nga Rusia, nga Putini. Duhet të bëjmë gjithçka për ta parandaluar këtë,” tha ai për BBC.

Nga paqja te një Gjermani e re

Për dekada, Gjermania ka shmangur fuqizimin ushtarak, duke kujtuar të kaluarën e saj si agresor në dy Luftërat Botërore. Berlini i Angela Merkelit kishte ndjekur politikën e afrimit me Moskën përmes bashkëpunimit ekonomik, por pushtimi rus i Ukrainës e tregoi këtë qasje si të dështuar.

Në shkurt 2022, kancelari Olaf Scholz shpalli një kthesë historike (“Zeitenwende”), duke angazhuar 100 miliardë euro për ushtrinë. Por gjenerali Breuer thotë se këto fonde nuk mjaftojnë për të mbuluar boshllëqet e mëdha në armatime dhe infrastrukturë, shkruan A2 CNN.

Rritja e shpenzimeve dhe shqetësimi për sigurinë

Raporti i fundit parlamentar vlerëson se Bundesëehri ka “shumë pak nga gjithçka” – që nga municionet deri te infrastruktura bazë për ushtarët. Kostoja e riparimeve vlerësohet në 67 miliardë euro.

Për këtë arsye, qeveria e re e drejtuar nga Friedrich Merz vendosi të heqë kufirin e borxhit për mbrojtjen, duke i siguruar ushtrisë një burim të qëndrueshëm financimi. Kjo lëvizje ndodhi me nxitim, përpara shpërndarjes së parlamentit pas zgjedhjeve të shkurtit, me synimin për të shmangur pengesat nga e majta antimilitariste dhe e djathta pro-ruse.

Sipas një sondazhi të YouGov, 79% e gjermanëve e shohin Vladimir Putinin si një kërcënim serioz për paqen në Evropë. Por shqetësimet janë shtuar edhe për shkak të qëndrimeve të administratës së re amerikane, veçanërisht pas një fjalimi të zv/presidentit JD Vance në Mynih, i cili kritikoi Evropën dhe vlerat e saj.

"Ne nuk e dimë se ku po shkon SHBA, por besimi se mund të mbështetemi 100% te mbrojtja amerikane ka humbur," thotë eksperti Markus Ziener.

Rikthimi i shërbimit ushtarak

Përveç pajisjeve, Gjermania ka nevojë edhe për trupa. Bundesëehri ka dështuar të rrisë numrin e ushtarëve nga 183,000 në 203,000. Gjenerali Breuer thekson se vendi ka nevojë për 100,000 ushtarë shtesë për të mbrojtur veten dhe krahun lindor të NATO-s. Ai pohon se kthimi i shërbimit ushtarak është “absolutisht i nevojshëm”.

Nëpër takime publike, Breuer u drejton qytetarëve një pyetje provokuese: "A jeni gati për luftë?" Kur një grua e akuzoi për frikësim, ai u përgjigj: “Nuk jam unë që ju tremb, por Putini.”

Me kërcënimin rus dhe një SHBA gjithnjë e më të distancuar nga Evropa, Gjermania po përballet me një realitet të ri: epoka e paqes ka marrë fund./L.F-dritare.net