
Rikthimi i amerikanëve në SPAK! Reagon Ambasada e SHBA-së
Dritare.net
Rikthimi i ekspertëve të OPDAT në SPAK dhe të FBI-së në BKH konsiderohet si një interes kombëtar nga administrata e presidentit Trump.
Këtë e tregon komenti i një zyrtari të Ambasadës amerikane në Tiranë pasi u pyet nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, se me çfarë lidhet rikthimi i këtyre ekspertëve javën e shkuar.
Në përgjigjen dërguar përmes postës elektronike ekskluzivisht për Top Channel thuhet:
“Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump të datës 20 janar për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës së Jashtme të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio nisi një rishikim të të gjithë ndihmës së huaj të SHBA për t’u siguruar që programet të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën ‘Amerika e Para’. Disa programe që konsiderohen thelbësore për interesat kombëtare të SHBA kanë rifilluar, ndërkohë që rishikimi i ndihmës së huaj është ende duke u zhvilluar.”
Ky reagim dërguar Top Channel është reagimi i parë zyrtar i Ambasadës Amerikane në Tiranë pas ardhjes së Trump si president.
Ky koment i selisë së Washingtonit në Tiranë i jep fund debateve dhe fërkimit të duarve nga disa politikanë shqiptarë, të cilët e trumpetuan me të madhe largimin e këtyre ekspertëve amerikanë.
Ndërkohë, çdo program tjetër i ndihmës amerikane për Shqipërinë vazhdon të jetë i bllokuar, përveç programeve të SPAK dhe BKH./TCH

















