
Rusia thotë se është ende "duke punuar me SHBA" pasi Presidenti Trump tha se ishte "i zemëruar" me Vladimir Putinin.
Në përgjigjen e tij të parë ndaj kritikave të Trump ndaj presidentit rus, Kremlini u përpoq të zvogëlonte tensionet midis dy liderëve.
“Ne vazhdojmë të punojmë me palën amerikane, për ndërtimin e marrëdhënieve tona”, tha zëdhënësi, Dmitry Peskov. Ai tha se nuk kishte plane për një telefonatë mes Putinit dhe Trump këtë javë, por se Putini është i hapur për bisedë telefonike nëse është e nevojshme.
Përpjekja për të qetësuar gjakrat erdhi pasi Trump-i i tha NBC News të dielën se ai ishte i zemëruar me Putinin për sulmin ndaj besueshmërisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kërcënoi se do të vendoste një tarifë 50% për vendet që blejnë naftë ruse nëse Putin nuk binte dakord për një armëpushim.
Ishte një ndryshim i dukshëm i tonit ndaj presidentit rus.
Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë qenë në bisedime për disa javë në përpjekje për të arritur një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, gjatë së cilës Trump shpesh e ka kritikuar Zelensky-n, por jo Putinin.
Por zemërimi i Trump-it me Putinin u ndez kur presidenti rus hodhi të premten idenë e një qeverie të përkohshme në Ukrainë nën mbështetjen e OKB-së, e cila mund të zëvendësojë Presidentin Zelensky.
“Mund të thuash se isha shumë i zemëruar, i inatosur kur... Putin filloi të hynte në besueshmërinë e Zelensky, sepse kjo nuk po shkon në vendin e duhur”, tha Trump për NBC News.
"Udhëheqja e re do të thotë se nuk do të keni një marrëveshje për një kohë të gjatë," shtoi ai. Komentet e Trump u pasqyruan në pjesë të mediave ruse.
Gazeta ruse pro-Kremlinit, Moskovsky Komsomolets, botoi disa kritika të rralla ndaj presidentit amerikan, duke thënë se Trump nuk po përmbushte "detyrimet" e tij për të ndaluar Ukrainën që të godiste infrastrukturën energjetike ruse./K.C/dritare.net

















