Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Politika kundër rritjes së pagave për gjyqtarët, Kushtetuesja: Jemi të pavarur

Politika kundër rritjes së pagave për gjyqtarët,

Polemikat e fundit rreth kërkesës së gjyqtarëve për rritjen e pagave kanë sjellë reagime të forta nga politika dhe institucione të drejtësisë. Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës Sali Berisha janë shprehur kundër kësaj kërkese, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka reaguar zyrtarisht duke theksuar pavarësinë e saj në vendimmarrje.

Në një deklaratë publike, Gjykata Kushtetuese u shpreh:
“Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundmi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshirë atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.”

Më tej, institucioni më i lartë i kontrollit kushtetues rithekson se është e lejueshme që vendimet e saj të kritikohen, por paralajmëron se çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin e saj përbën një cenim serioz ndaj parimeve të shtetit të së drejtës.

“Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”, përfundon reagimi.

Çështja e pagave të gjyqtarëve vijon të jetë një nga debatet më të nxehta të ditëve të fundit, duke rihapur diskutimin për balancën mes pushteteve dhe respektimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë./K.C/dritare.net