Për herë të parë, një gazetare shqiptare hyn në Ufficio Storico të Ministrisë së Mbrojtjes italiane
Dritare.net

Për herë të parë, një gazetare shqiptare ka hyrë në Ufficio Storico të Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë, një nga arkivat ushtarake më të rëndësishme dhe më të rezervuara të Evropës, ku ruhen dokumentet zyrtare të Luftës së Dytë Botërore.

Gazetarja dhe dokumentaristja Rudina Xhunga, themeluese e Dritare TV, ka pasur akses në dosje origjinale të viteve 1943–1945, që hedhin dritë mbi fatin e mijëra ushtarëve italianë në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943.

Në këto dokumente arkivore, përfshirë raporte të inteligjencës ushtarake, relacione të oficerëve italianë dhe urdhra zyrtarë komandash, del qartë një realitet historik i dokumentuar: Shqipëria nuk ishte vetëm territor lufte, por një vend shpëtimi. Dokumentet dëshmojnë se, në kushtet e kaosit, braktisjes dhe mungesës së urdhrave nga autoritetet italiane, shqiptarët hapën shtëpitë, malet dhe rrugët e tyre për të strehuar dhe shpëtuar mbi 20 mijë ushtarë italianë nga internimi, arrestimi apo vdekja prej nazisteve.

Këto letra nuk janë kujtime personale apo rrëfime të mëvonshme, por prova zyrtare shtetërore, të hartuara nga vetë strukturat ushtarake italiane gjatë dhe menjëherë pas luftës. Ato dokumentojnë marrëveshje lokale, bashkëpunime me formacionet partizane shqiptare dhe zgjedhje jetike të marra nga oficerë italianë në mungesë të çdo autoriteti qendror.

Hulumtimi arkivor i Rudina Xhungës është pjesë e një dokumentari në përgatitje mbi Besën e shqiptarëve, i cili synon të tregojë me fakte, emra dhe dëshmi arkivore një kapitull të rëndësishëm, por pak të njohur të historisë evropiane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Dokumentari pritet të sjellë për herë të parë në publik dokumente origjinale nga arkivat ushtarake italiane, duke rikthyer në vëmendje një histori solidariteti dhe humanizmi në një nga periudhat më të errëta të Evropës./ Dritare.net