Ministrja Kumbaro: 140 tekste të përditësuara dhe trajnime të vazhdueshme për formimin profesional të mësuesve
Dritare.net

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro pati një takim me stafin drejtues dhe gjithë ekipin e ekspertëve dhe specialistëve të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar me fokus tekstet mësimore, përditësimin e tyre dhe kurrikulat e reja, si dhe trajnimet për formimin profesional të mësuesve.
“Stafi i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar ka në dorë, në mendje dhe në zemër një punë shumë të rëndësishme që ka të bëjë me cilësinë e shkollës: përgatitjen e të gjithë kurrikulave, e të gjitha lëndëve, formimin e fëmijëve tanë, por edhe formimin e mësuesve të fëmijëve tanë. Ne jemi në një vit shumë të rëndësishëm, ku pas një periudhe dhjetëvjeçare ka ardhur koha për të përditësuar kurrikulat në arsimin parauniversitar. Janë 140 tekste që do të përditësohen, është një punë që nuk ka orar, që bëhet nga ekspertët më të mirë të lëndëve dhe të kurrikulave, që qëndrojnë para cilësisë së arsimit. Në këto 140 tekste që do të përditësohen, 44 janë në gjuhë të huaj. Gjithashtu do të kemi tekste të reja për klasën e parë, të gjashtë e të dhjetë të lëndës së qytetarisë e gjuhës shqipe dhe do të vazhdojmë edhe me lëndën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, që nga klasa e parë deri në maturë. Do të vazhdojmë më pas në vitet e tjera me klasën e dytë e të shtatë, për të ndjekur gjithë rinovimin e këtyre lëndëve. Janë rreth 120 kolegë, specialistë nga ministria, nga agjencia, nga universitetet që janë partnerët tanë më të rëndësishëm. Është gjithashtu kjo agjenci që është përgjegjëse edhe për kualifikimin e mësuesve Programi i zhvillimit profesional është një program i jashtëzakonshëm që ne e bëjmë në bashkëpunim me universitetet publike për të formuar, trajnuar, përditësuar dijet e mësuesve”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar lidhur me përditësimin e teksteve dhe kurrikulave të reja, ka si objektiv të jenë të përafruara me standardet e Bashkimit Europian, të zgjerojnë kompetencat e nxënësve, t’i aftësojnë në përdorimin e teknologjisë në shërbim të dijeve si dhe të reflektojnë elemente të identitetit kulturor kombëtar.
Ministrja Mirela Kumbaro po zhvillon një cikël takimesh pune me të gjitha agjencitë e Ministrisë së Arsimit, me fokus prioritetet për vitin 2026 si në arsimin e lartë, ashtu edhe në atë parauniversitar.