Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Reforma Territoriale, PS kërkon shumicën në Komision, afat PD-së deri të hënën

Reforma Territoriale, PS kërkon shumicën në Komision, afat

Partia Socialiste ka ndërmarrë një nismë zyrtare për të ndryshuar formulën e barazisë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale, duke i kërkuar Kuvendit rishikimin e përbërjes dhe drejtimit të këtij komisioni. Kërkesa i është drejtuar Konferencës së Kryetarëve, pas bojkotit të vazhdueshëm nga ana e Partisë Demokratike.

Sipas socialistëve, që prej krijimit të Komisionit më 27 tetor 2025, nga katër mbledhje të njoftuara rregullisht, vetëm një është zhvilluar me pjesëmarrjen e plotë të opozitës. PS argumenton se kjo situatë po pengon seriozisht ecurinë e punës së komisionit.

Duke qenë se vendi ndodhet përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027 dhe afati i punës së Komisionit është vetëm 9 muaj, mazhoranca kërkon të marrë drejtimin dhe shumicën në këtë strukturë. Propozimi i PS parashikon shtimin e një anëtari nga radhët e saj, duke e çuar numrin total të anëtarëve në 17: 9 nga mazhoranca (nga 8 që janë aktualisht), 6 nga Partia Demokratike, 1 nga Grupi Parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe 1 nga Partia e Lirisë.

Gjithashtu, socialistët kërkojnë drejtimin e Komisionit nga Arbian Mazniku dhe heqjen e të drejtës së vetos për opozitën. Në këtë kuadër, Luçiano Boçi nuk do të ishte më bashkëkryetar, por nënkryetar i Komisionit.

Në kërkesën e depozituar në Kuvend, PS thekson se reforma administrativo-territoriale është një prioritet kyç i programit të mazhorancës “Shqipëria 2030” dhe një element i rëndësishëm në procesin e integrimit europian. Sipas socialistëve, miratimi i reformës brenda afateve është i domosdoshëm për të garantuar përgatitjet ligjore, administrative dhe organizative, një vit përpara zgjedhjeve vendore të 2027-ës.

“Që prej krijimit të Komisionit në datën 27.10.2025 (gjatë një periudhe dy mujore) nga 4 mbledhje të njoftuara rregullisht vetëm një mbledhje është zhvilluar me përbërje të plotë të opozitës. Referuar vendimit të Kuvendit, kohëzgjatja e punës së Komisionit është parashikuar 9 muaj. Kjo kohëzgjatje është dakordësuar duke patur parasysh rëndësinë e miratimit të reformës administrative-territoriale në kohë, pra 1 vit përpara zhvillimit të zgjedhjeve vendore 2027 në mënyrë që të merren masat përkatëse ligjore, administrative dhe organizative. Nisur nga qasja e bojkotuese e opozitës parlamentare si dhe fakti që reforma administrativeterritoriale përbën një nga prioritetet kyçe të programit të mazhorancës parlamentare Shqipëria 2030 dhe për integrimin në BE, propozohet ndryshimi i përbërjes dhe mënyrës së punës së Komisionit”, thuhet në kërkesën e PS./K.C/dritare.net

Reforma Territoriale, PS kërkon shumicën në Komision, afat