Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çmimi “Mirash Ivanaj-Mësuesi i Vitit” rikthen mësuesin në qendër të vëmendjes publike

Çmimi “Mirash Ivanaj-Mësuesi i Vitit” rikthen

Fondacioni M&M Ivanaj Institute sjell për herë të parë në Tiranë edicionin pilot 2026 të Çmimit “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit”, një iniciativë që synon të vendosë mësuesin në qendër të vëmendjes publike dhe të vlerësojë përkushtimin, etikën dhe ndikimin e tij në formimin e brezave.

Nga 26 janari deri më 6 shkurt 2026, qytetarët mund të propozojnë mësues aktivë ose në pension përmes platformës zyrtare:

https://ivanaj-foundations.org/sq/mesuesivit/

Ndërsa nga 9 deri më 22 shkurt 2026, kandidatët do t’i nënshtrohen një procesi të dyfishtë vlerësimi: votimit publik online dhe një vlerësimi profesional paralel nga një juri e pavarur.

Çmimi “Mirash Ivanaj-Mësuesi i Vitit” rikthen

I frymëzuar nga vizioni i Mirash Ivanajt, reformator i shquar i arsimit shqiptar që e konsideronte dijen themel të shoqërisë moderne, çmimi ndërton një model bashkëkohor vlerësimi mbi meritën, integritetin dhe ndikimin shoqëror të mësuesit.
Struktura e shpërblimit parashikon që 70% e çmimit t’i jepet vetë mësuesit si vlerësim profesional, ndërsa 30% të dedikohet një projekti edukativ që ai ose ajo zhvillon së bashku me nxënësit.

Edicioni i parë i këtij çmimi fokusohet në tre nivelet e arsimit parauniversitar në Tiranë:
• arsimi fillor,
• arsimi 9-vjeçar,
• arsimi i mesëm,

duke shpallur një fitues për secilin nivel.

Sipas organizatorëve, kombinimi i votës së komunitetit me analizën profesionale të jurisë synon të krijojë një proces të drejtë, të hapur dhe të besueshëm, duke i dhënë mësuesve shqiptarë vlerësimin që meritojnë dhe duke rikujtuar se investimi në arsim është investim në të ardhmen e shoqërisë./dritare.net