Reformë në tekste shkollore pas një dekade, Kumbaro: Përditësohen 140 libra, vëmendje Gjuhës Shqipe dhe Teknologjisë
Dritare.net

Viti i ardhshëm shkollor do të sjellë ndryshime thelbësore në çantat e nxënësve të arsimit parauniversitar. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi sot nisjen e një procesi masiv për përditësimin e 140 teksteve shkollore, një lëvizje që, sipas saj, vjen si domosdoshmëri pas një dekade nga reforma e fundit kurrikulare.
Gjatë një takimi pune me stafin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), Kumbaro bëri të ditur se ekspertët po punojnë me ritme të larta për të garantuar që materialet e reja të jenë gati në shtator.
Ndryshimet kryesore
Nga 140 tekstet që po i nënshtrohen rishikimit, një peshë të konsiderueshme zënë gjuhët e huaja, me 44 tituj. Megjithatë, risia më e madhe qëndron te lëndët formuese të identitetit dhe qytetarisë.
Sipas Ministres, do të ketë tekste krejtësisht të reja për lëndët “Gjuha Shqipe” dhe “Qytetaria”. Këto ndryshime do të prekin fillimisht klasat që shënojnë fillimin e cikleve shkollore: klasën e parë (fillore), të gjashtë (e mesme e ulët) dhe të dhjetë (gjimnaz).
“Sivjet, për herë të parë ne do të bëjmë lëndë të reja, siç është Edukimi Qytetar për klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë,” theksoi Kumbaro, duke shtuar se puna për këto tekste po bëhet nga ekspertët më të mirë të kurrikulave në vend.
Fokus te Teknologjia dhe 10-vjeçari
Përveç lëndëve sociale, Ministria e Arsimit ka vendosur theksin te digjitalizimi. Kumbaro konfirmoi se do të ketë përditësim rrënjësor në lëndët e Teknologjisë së Informacionit (TIK), duke filluar që nga klasa e parë e fillores e deri në maturë, për t’iu përgjigjur zhvillimeve teknologjike të kohës.
Ministrja argumentoi se ky proces ishte i pashmangshëm.
“Pas një periudhe 10-vjeçare, ka ardhur koha për të përditësuar kurrikulat e reja në arsimin parauniversitar,” tha ajo.
Duke vlerësuar punën e ASCAP, Kumbaro u shpreh se ky institucion ka “në dorë dhe në zemër cilësinë e shkollës”, pasi puna e tyre ndikon drejtpërdrejt te formimi jo vetëm i fëmijëve, por edhe i mësuesve.
Procesi i rishikimit pritet të përmbyllet para fillimit të vitit të ri shkollor, ndërsa ekspertët po punojnë për të siguruar që përmbajtja e re të jetë në përputhje me standardet bashkëkohore të mësimdhënies./dritare.net