
Pas sulmit ndaj Iranit, Izraeli mbyll ambasadën në Tiranë
Dritare.net
Pas tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht pas sulmit të ndërmarrë ndaj Iranit, Izraeli ka njoftuar mbylljen e përkohshme të ambasadave dhe shërbimeve konsullore në të gjithë botën, përfshirë edhe Ambasadën izraelite në Tiranë.
Në një deklaratë të publikuar ditën e sotme, Ambasada e Izraelit në Shqipëri bëri të ditur pezullimin e të gjitha shërbimeve konsullore, duke e lidhur këtë vendim me “zhvillimet e fundit” dhe masat e marra nga Ministria e Jashtme izraelite në nivel global.
“Në dritën e zhvillimeve të fundit, misionet izraelite në të gjithë botën do të mbyllen dhe shërbimet konsullore nuk do të ofrohen. Një formular online është i disponueshëm për izraelitët jashtë vendit, për të raportuar vendndodhjen dhe statusin e tyre aktual. Ju lutemi plotësojeni atë për të ndihmuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të qëndrojë e përditësuar”, thuhet në njoftim.
Ambasada thekson gjithashtu rëndësinë e kontaktit të menjëhershëm me autoritetet në rast emergjencash apo fatkeqësish. Po ashtu, u bëhet thirrje shtetasve izraelitë që të ndjekin me kujdes udhëzimet e autoriteteve kompetente.
“Në rast emergjence ose fatkeqësie, kontaktoni menjëherë Dhomën e Situatave të Ministrisë. Kontrolloni rekomandimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për vendin ku ndodheni aktualisht, si dhe udhëzimet e përgjithshme të sigurisë për izraelitët jashtë vendit”, vijon deklarata.
Si pasojë e situatës së krijuar, janë anuluar gjithashtu fluturimet ndërmjet Tiranës dhe Tel Avivit, duke ndikuar në itineraret e udhëtimit të dhjetëra qytetarëve.
Kjo masë e jashtëzakonshme vjen në një kohë kur tensionet midis Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar, duke krijuar një klimë pasigurie për shtetasit izraelitë në disa vende të botës./K.C/dritare.net

















