Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ngjela: Pse Shqipërisë i duhet një polici e specializuar dhe ligje të reja!

Ngjela: Pse Shqipërisë i duhet një polici e specializuar dhe

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, debati për sigurinë e sistemit të drejtësisë është bërë më urgjent se kurrë. Duke komentuar reagimet politike mbi ngjarjen, avokati Spartak Ngjela tha në Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV se ajo që duhet të na shqetësojë nuk është vetëm krimi në vetvete, por mënyra si shteti po reagon ndaj tij.

Ngjela u ndal fillimisht te deklarata e Ministres së Brendshme, e cila tha se “policia e shtetit nuk ka përgjegjësi për ruajtjen e brendshme të gjykatave”. Sipas tij, ky është vetë thelbi i problemit.

“Kjo tregon se nuk kemi një strukturë të specializuar për këtë mision delikat. Nuk mund të kërkosh siguri me polici të zakonshme. Duhet një polici profesionale, e trajnuar posaçërisht për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve,” – u shpreh Ngjela.


Sipas avokatit, kjo polici duhet të ndërtohet mbi modele perëndimore:

“Ka ardhur koha që edhe ne të krijojmë sistemin perëndimor të mbrojtjes së gjyqtarëve, gjykatave dhe prokurorëve. Duhet një ligj i ri dhe eksperienca që merren në Perëndim, në Amerikë, Itali apo Francë, ku këto struktura funksionojnë me profesionalizëm të lartë.”
Ngjela theksoi se kriminaliteti po evoluon në forma gjithnjë e më të sofistikuara, ndaj edhe reagimi shtetëror duhet të përshtatet.

“Kriminaliteti ka normën e vet të përkryerjes. Nga një moment vulgar që e kupton çdo njeri i thjeshtë, ai kalon në një fazë sofistikimi ku marrin pjesë pesë a gjashtë individë që dinë si të fshehin gjurmët,” – tha ai.
“Përballë kësaj, shteti nuk mund të mbetet me struktura primitive. Lufta kundër krimit është profesion më vete.”
Në fund të bisedës, Ngjela nënvizoi se siguria e gjyqtarëve nuk është vetëm një çështje teknike, por themeli mbi të cilin ndërtohet drejtësia.

“Pa siguri, nuk mund të ketë drejtësi. Nëse duam drejtësi të paanshme, duhet ta mbrojmë atë nga krimi,” – përfundoi ai.
Sipas tij, mbështetja e vendeve perëndimore, veçanërisht e politikës amerikane, do të jetë vendimtare për ngritjen e këtij sistemi të ri mbrojtjeje profesionale.
Vetëm kështu, shtoi Ngjela, “drejtësia shqiptare nuk do të gjunjëzohet para krimit.”/K.C/dritare.net