Na ndiqni edhe në

Sport

Kombëtarja niset drejt Serbisë, skuadra zbret sot në Nish!

Kombëtarja niset drejt Serbisë, skuadra zbret sot në Nish!

Nga aeroporti 'Nënë Tereza' i Tiranës me një fluturim charter drejt Nishit në Serbi. Ky është itinerari që Kombëtarja do përshkojë këtë paradite në prag të ndeshjes kundër Serbisë, e cila luhet nesër (11 tetor) në orën 20:45 në stadiumin 'Duboçica' të Leskovacit dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Pas mbërritjes në aeroportin 'Kostandini i Madh' në Nish, delegacioni shqiptar dhe skuadra do i drejtohen hotelit. Disa orë pushimi për kuqezinjtë, para se autobusi t'i drejtohet stadiumit në Leskovac.

Që nga mbërritja në Nish, delegacioni kuqezi do shoqërohet nga forca të shumta policie dhe një siguri e madhe, për të shmangur çdo lloj kërcënimi nga huliganët serbë. Frika më e madhe e organizatorëve është siguria dhe përsëritja e akteve të dhunës si në 14 tetorin e 2014, kur huliganët serbë u futën në fushë dhe dhunuan futbollistët shqiptarë.

Sot në orën 16:30, Sylvinho dhe me gjasë kapiteni Gjimshiti (ose Hysaj, i vetmi që vijon të jetë në ekip që nga mbrëmja e Beogradit në vitin 2014), do dalin para mediave. Pas orës 17:30 ekipi do zbresë në fushën e stadiumit 'Duboçica' në Leskovac për të zhvilluar stërvitjen gjenerale.

Gjatë gjithë itinerarit ekipi do jetë i shoqëruar nga policia serbe, si edhe gjatë gjithë kohës së qëndrimit në hotel. Edhe të shtunën paradite nuk është programuar asnjë dalje nga hoteli për ekipin tonë.

Në orët e pasdites të së shtunës skuadra do i drejtohet sërish Leskovacit për ndeshjen që merr jetë më 11 tetor në orën 20:45.

Sfida është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët dhe klimës së tensionuar politike në Serbi, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.

6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit. Në bazë të një marrëveshjeje mes dy federatave, në ndeshjet Serbi - Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë kundërshtarë.

Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.