
Nga nesër rifillon shërbimi taksi, rregullat që duhet të dini!
Dritare.net
Nga dita e nesërme, mes shumë bizneseve që do të rinisin aktivitetin, është edhe shërbimi taksi, vetëm brenda për brenda qytetit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi sërish sot, se të gjitha bizneset që do të rihapen, duhet të respektojnë të gjitha rregullat e paracaktuara. Shërbimi taksi do të ofrohet vetëm në fashat e orareve 05:00 deri në 17:30.
Taksistët e kanë të detyruar të jenë të pajisur me maska, higjienizues dhe doreza. Sipas rregullave të publikuara në e-albania, në automjet duhet të ofrohet higjienizues edhe për klientin, i cili duhet të dezinfektojë duart, kur hyn dhe del nga automjeti. Klienti gjithashtu duhet të jetë i pajisur me maska dhe doreza në çdo moment të udhëtimit.
Në taksi lejohet vetëm një klient, i cili duhet të ulet mbrapa dhe diagonalisht. Përjashtim bëjnë rastet kur klienti mund të shoqërohet nga një fëmijë apo një person me aftësi të kufizuar.
Kështu që nga nesër nëse do të keni punë, kërkoni taksi dhe do ta keni më të thjeshtë për të lëvizur./L.F-dritare.net

















