
Në kohët moderne ku teknologjia është pjesë e pandashme e jetës, mënyra jonë e të jetuarit është bërë gjithnjë e më shumë sedentare. Kalojmë orë të tëra ulur, përballë ekraneve dhe duke përdorur pajisje si telefonat apo kompjuterët. Kjo sjellje, ndonëse praktike, po e dëmton trupin tonë, sidomos qafën.
Një metaanalizë e fundit që përfshiu mbi 43,000 persona në 13 vende, zbuloi se sa më gjatë të rrimë ulur, aq më i madh është rreziku për dhimbje në qafë. Në veçanti, përdorimi i tepruar i telefonit rrit rrezikun me 82%, ndërsa kompjuteri me 23%. Edhe qëndrimi ulur për më shumë se 6 orë në ditë pothuajse dyfishon gjasat për dhimbje.
Pandemia e përkeqësoi situatën, duke na detyruar të punojmë nga shtëpia pa kushte ergonomike. Shumë vetë punojnë nga divani apo krevati, me qëndrime trupore të gabuara që rëndojnë shtyllën kurrizore dhe qafën.
Ekspertët paralajmërojnë: nëse nuk marrim masa, këto probleme mund të prekin ndjeshëm cilësinë tonë të jetesës./K.C/dritare.net

















