
Finalja e Eurovision! Sondazhi i Wiwiblogs e rendit të parën këngën 'Zjerm'!
Dritare.net
Shkodra Elektronike, dyshja që përfaqëson Shqipërinë në Eurovision 2025, do të ngjitet këtë të shtunën në skenën e madhe të Bazelit në natën finale. Beatriçe Gjergji dhe Kol Laca performojnë të fundit, renditja më strategjike që mund t'u sjellë fat për renditjen përfundimtare. Dhe lajmet e mira kanë nisur vetëm pak orë para hapjes së siparit të një prej kompeticioneve muzikore më të ndjekur të globit.
Wiwiblogs, një prej blogjeve më të njohur që merret hap pas hapi me analizimin e këngëve, këngëtarëve pjesëmarrës dhe shancet e secilit në renditjen përfundimtare, projekton Shqipërinë me këngën "Zjerm" fituese të këtij edicioni.
Duke vlerësuar uniken dhe autenticitetin që dyshja shkodrane përcolli në natën e parë gjysmëfinale në skenë, Wiwiblogs e klasifikon në krye të renditjes, duke pasur parasysh konkurencën e frikshme të këtij viti.
10 gazetarë të Wiwiblogs e vlerësojnë këngën "Zjerm" me 73 pikë në total, po aq sa këngën e Finlandës, ndjekur nga Austria, Suedia dhe Greqia. 3 nga 10 gazetarë i japin nga 12 pikë maksimale, ndërsa 7 të tjerët me më pak pikë, por të mjaftueshme për të qëndruar në majë të klasifikimit.
"Shqipëria më zuri në befasi. Më pëlqeu kënga e tyre që në fillim, por mënyra se si e sollën në jetë në skenë më bën të mendoj se mund të fitonin vërtet. Është një nga ato këngë ku, edhe nëse nuk i kupton tekstet, prapë mund ta ndjesh emocionin. Ndërveprimi midis tyre është fantastik dhe skenografia e tyre arrin të jetë efektive pa e larguar vëmendjen nga ata ose nga kënga. Është një nga ato momente që më jep menjëherë ndjesinë e fituesit", tha një prej gazetarëve që e projekton "Zjerm" fituese këtë mbrëmje.
Ditë më parë, një sondazh i publikut europian në Wiwiblogs e renditi po ashtu të parën Shqipërinë. CNN të premten e konsideroi këngën më të mirë ndër 26 pjesëmarrës, duke vlerësuar çdo komponent të këngës. Beatriçe Gjergji dhe Kol Laca janë dyshja që mund të shkruaj historinë për Shqipërinë në Eurovision këtë mbrëmje dhe deri tani kanë thyer çdo rekord në krahasim me 20 pjesëmarrjet e Shqipërisë që prej 2004-ës.
Eurovision është një kompeticion që shpesh pikëpamjet politike kanë qenë decizive për përzgjedhjen e fituesit. Vendi ynë renditjen më të mirë e ka në 2012-ën me "Suus" nga Rona Nishliu.
Përgjithësisht përfaqësimi kuqezi ka qenë në nivele të larta, por klasifikimi final shpesh e ka renditur në pozicione jo shumë të kënaqshme. Këtë të shtunë në orën 21:00 është shanci për të thyer një mit që e ndjek vendin tonë në këtë festival prej më shumë se 20 vitesh. Një triumf i mundshëm sjell Eurovisiom 2026 në Tiranë, një organizim i kushtueshëm, por që promovimi vendi ynë do të kishte, do të ishte i jashtëzakonshëm./E.P-dritare.net

















