
E pi kafen, por sërish të merr gjumi? Ja pse ndodh!
Dritare.net
Sipas një studimi të publikuar nga Science Translational Medicine, kafeina e konsumuar edhe 6 orë para gjumit mund të vonojë ritmin biologjik të trupit tuaj dhe të ulë ndjeshëm prodhimin e melatoninës – hormonit që ju ndihmon të flini.
Por pse nuk rrijmë dot pa kafe?
Kafeja përmban kafeinë, një substancë natyrale që stimulon sistemin nervor qendror. Kur e pimë, kafeina bllokon një substancë të quajtur adenozinë, e cila normalisht na bën të ndihemi të lodhur. Si rezultat, ndihesh më i zgjuar, më energjik dhe më i përqendruar. Truri “mësohet” me këtë efekt dhe fillon ta kërkojë rregullisht.
Me kalimin e kohës, trupi zhvillon tolerancë dhe nevojitet gjithnjë e më shumë kafe për të ndjerë të njëjtin efekt. Kjo krijon një varësi psikologjike dhe fizike, që e bën të vështirë të fillosh ditën pa një filxhan kafe. Për shumë njerëz, është bërë rituali i parë i mëngjesit jo vetëm për energjinë, por edhe për ndjesinë e rehatisë që sjell.
Pse na merr gjumi përsëri, edhe pasi pimë kafe?
Toleranca ndaj kafeinës
Nëse je përdorues i rregullt i kafes, trupi yt mund të ketë zhvilluar tolerancë, që do të thotë se kafeja nuk ka më aq efekt stimulues sa më parë. Kjo do të thotë se, megjithëse e pi, ajo nuk të "zgjon" më si më parë.
Kafeja maskon lodhjen, por nuk e zgjidh atë
Kafeina bllokon përkohësisht adeno zinën (substanca që shkakton ndjenjën e lodhjes), por niveli i saj në tru vazhdon të rritet. Kur efekti i kafes kalon, adeno zina "vërshon" dhe na bie menjëherë gjumi.
Përgjumja vjen nga faktorë të tjerë
Nëse kafeja nuk të ndihmon, mund të jesh thjesht shumë i lodhur, ke bërë pak gjumë, je i dehidratuar, ose ke ngrënë ushqim të rëndë. Kafeja nuk mund të kompensojë mungesën e gjumit apo zakonet e këqija të jetesës.
Orari biologjik (cirkadian)
Nëse pi kafe në një kohë kur trupi yt është natyrshëm i prirur për gjumë (p.sh., pasdite ose në darkë), mund të ndjesh vetëm një zgjim të lehtë dhe pastaj përsëri përgjumje, sepse ritmi i brendshëm biologjik është më i fortë se efekti i kafeinës./E.P-dritare.net

















