Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga anëtarësimi i detyruar te prapaskenat e Kongresit të 10-të, Viktor Doda rrëfen kthesën historike të së majtës

Nga anëtarësimi i detyruar te prapaskenat e Kongresit të

Në një rrëfim të sinqertë në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV ish-ministri dhe deputeti socialist Viktor Doda zbuloi detaje të panjohura më parë nga karriera e tij politike, duke filluar me momentin e pazakontë të anëtarësimit në Partinë e Punës në vitin 1983. Doda tregoi se si, ndërsa punonte si inxhinier gjeolog në Mirditë, ai u propozua për anëtar partie nga vetë punëtorët, pavarësisht se nuk kishte bërë kërkesë dhe se kandidati zyrtar ishte një koleg i tij. "Nuk doja, më vinte zor nga kolegu, por punëtorët këmbëngulën dhe nuk luhej me vendimin e tyre," kujton ai, duke përshkruar një situatë që e futi në politikë pothuajse pa dëshirën e tij.

Më tej, Doda ndau kujtime të vlefshme si delegat në Kongresin e 10-të historik, ku Partia e Punës do të transformohej në Partinë Socialiste. Ai përshkroi një seancë me dyer të mbyllura, ku anëtarët e vjetër të Byrosë Politike ishin të çorientuar dhe të paaftë për të artikuluar një mendim për ndryshimet që po ndodhnin. "Sot kanë lexuar mendjen e tyre, deri dje kanë lexuar mendjen e këshilltarëve," i ishte përgjigjur Ramiz Alia kur Doda e pyeti për fjalimet e zbehta të udhëheqjes së vjetër.

Një nga momentet më dramatike të kongresit, sipas Dodës, ishte sulmi i krahut konservator ndaj shkrimtarit Dritëro Agolli, i cili mbajti një fjalim të hapur dhe kritik. "Iu turrën duke e quajtur 'tradhtar'," tha Doda. Por situata u qetësua nga ndërhyrja e prerë e Gjelil Gjonit, i cili garantoi për atdhetarizmin e Agollit duke thënë: "Aty ku vë këmbën Dritëro Agolli, unë vendos kokën." Ky episod, së bashku me zgjedhjen e Fatos Nanos si kryetar, shënoi fundin e një epoke dhe fillimin e rrugëtimit të ri të Partisë Socialiste./dritare.net