
Nesër Dita e Verës/ Policia: Si do të kufizohet qarkullimi i mjeteve!
Dritare.net
Nesër, është 14 mars, Dita e Verës. Policia e Shtetit ka bërë me dije planin e masave për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen me rastin e Ditës së Verës.
Për zbatimin e këtij plani masash do të angazhohen në terren, në të gjithë vendin, punonjës të Policisë së Rendit, të Policisë Rrugore dhe të Patrullës së Përgjithshme, të cilat do të mbështeten nga shërbime të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Këta punonjës do të jenë të planëzuar me shërbim në sheshet dhe rrugët ku do të zhvillohen aktivitetet, në të cilat do të ketë numër të madh të qytetarëve dhe mjeteve.
Për të siguruar mbarëvajtjen e aktiviteteve, në akset rrugore kryesore në qendrat e qyteteve, do të ketë kufizime të lëvizjes së automjeteve. Në Elbasan, gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe qarkullimi i tyre në disa segmente rrugore në qendër të qytetit, ndërsa në Tiranë, gjatë ditës së nesërme, deri në përfundim të aktiviteteve, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët “Papa Gjon Pali II” dhe “Ibrahim Rugova”.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Policisë Bashkiake do të jenë të terren, për të monitoruar lëvizjen e automjeteve, me qëllim shmangien e krijimit të trafikut dhe orientimin e drejtuesve të automjeteve, në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët, që të zbatojnë masat kufizuese dhe të bashkëpunojnë me Policinë, për të ndihmuar në mbarëvajtjen e aktiviteteve./K.C/dritare.net

















