REAGIMET/ Rama: Protesta e atdhedashurisë ia ka lënë vendin filmit të vjetër të dhunës! Lamallari: Sulm ndaj shtetit! Berisha dënon policinë
Dritare.net

"Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë ia ka lënë vendin filmit të vjetër të konfliktit, sherrit e dhunës." Me këtë koment, kryeministri Edi Rama reagoi pas incidenteve gjatë protestës para Kuvendit, ku u sulmuan me vezë deputetë socialistë dhe me gurë efektivë të Policisë së Shtetit. Pas tij reaguan edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, të cilët dënuan aktet e dhunës.
“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Aktet e dhunës, përfshirë hedhjen e gurëve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së sotme, janë të papranueshme dhe të pajustifikueshme. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në respekt të ligjit dhe të institucioneve”, shkroi Gogu.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës dy efektivët e policisë që mbetën të plagosur në kokë gjatë përplasjes me protestuesit. Lamallari e cilësoi sulmin ndaj efektivëve si “sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues.”
Kam një mesazh për të gjithë ata vandalë që guxuan të hedhin gurë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë identifikuar dhe do të vihen para drejtësisë menjëherë. Do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji. Ky është një akt kriminal”, tha Lamallari.
Ndërsa kreu i opozitës, Sali Berisha akuzoi policinë se përgjaku protestuesit. Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të protestuesve, Berisha thotë se PD solidarizohet me protestuesit, ndërsa qeveria sipas tij tregoi se është e gatshme për çfarë do lloj akti në mënyrë që të mbrojë pushtetin.
"Skenat e dhunës shtazarake të urdhëruar nga Edi Rama dhe Taulant Balla ndaj protestuesve paqësorë që kishin rrethuar parlamentin. Me urdhër të Edi Ramës, sot narkopolicia përdori lëndë toksike, gaz lotsjellës të skaduar, përdori spray ariu, lëndë piroteknike, topat e ujit, zvarritjen, përgjakjen e protestuesve paqësorë me një egërsi të papërmbajtur", tha Berisha.
Me aktet e sotme të dhunës, protesta para Kuvendit "hoqi maskën" dhe përfundoi në dhunë e kaos. Kështu u shpreh zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila komentoi incidentet e ndodhura gjatë tubimit, ku u sulmuan me vezë deputetë dhe me gurë efektivë të Policisë së Shtetit.
Në reagimin e saj, zëvendëskryeministrja shprehu gjithashtu mbështetje për Policinë e Shtetit në vendosjen e rendit dhe qetësisë publike, ndërsa theksoi se kushdo që ka tejkaluar kufijtë e ligjit do të mbajë përgjegjësi para drejtësisë.
" U desh shumë pak që kjo protestë të hiqte maskën. Nga pankartat me meme, te vezët, e më pas te dhuna dhe kaosi, pikërisht aty ku dukej se ishte planifikuar të mbërrinte që në fillim. Kjo nuk është më një protestë qytetare me kauza të drejta. Është i njëjti skenar i vjetër, i njëjti refren i konsumuar i një grupi vandalësh që i kanë mbetur peshqesh Shqipërisë, për t’u kujtuar shqiptarëve çdo ditë pse nuk duhet të kthehemi më pas te këto shembuj të shëmtuar. Mbështetje e plotë për Policinë e Shtetit në vendosjen e rendit dhe qetësisë publike. Kushdo që tejkalon kufijtë ligjorë do të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë" u shpreh ajo.
Kreu i Kuvendit Niko Peleshi dënoi aktet e dhunës gjatë protestës para Kuvendit, duke i cilësuar të papranueshme sulmet ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, deputetëve dhe institucioneve publike.
Përmes një postimi publik, Peleshi theksoi se e drejta për të protestuar është themelore, por duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore, ndërsa shtoi se dhuna cenon sigurinë e njerëzve dhe vlerat mbi të cilat ndërtohet demokracia.
"Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, deputetëve të Kuvendit apo institucioneve publike. Shqipëria ndërtohet mbi dialogun, respektin për ligjin dhe institucionet, jo mbi përplasjen. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Kur protesta shndërrohet në dhunë ndaj njerëzve, cenon jo vetëm sigurinë e tyre, por edhe vetë vlerat mbi të cilat ndërtohet demokracia. Solidaritet i plotë me efektivët e Policisë së Shtetit, të plagosur gjatë kryerjes së detyrës dhe shërim sa më të shpejtë. Të papranueshme sulmet ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Asgjë e mirë nuk ndërtohet prej dhunës dhe kaosit" shkroi ai
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj efektivëve nga protestuesit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Gogu shprehet se dhuna është e pajustifikueshme dhe nuk ka vend në një shoqëri demokratike.
"Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike.
Aktet e dhunës, përfshirë hedhjen e gurëve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së sotme, janë të papranueshme dhe të pajustifikueshme. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në respekt të ligjit dhe të institucioneve.
Askush nuk ka të drejtë të cenojë sigurinë e efektivëve të Policisë, të cilët janë në krye të detyrës për të garantuar rendin publik dhe sigurinë e çdo qytetari.
Shteti i së drejtës ndërtohet mbi respektimin e ligjit, të institucioneve dhe të njëri-tjetrit. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur bindjet apo pakënaqësitë politike", shkruan Gogu në rrjete sociale.