Fjala e plotë/ Bonusi i verës, Rama me pensionistët!
Dritare.net

Kryeministri Rama zhvilloi një bashkëbisedim me një grup pensionistësh, mbi masat e ndërmarra së fundmi nga qeveria në mbështetje të tyre dhe kategorive të tjera sociale, ku theksoi një sërë ndërhyrjesh në fusha të veçanta, përfshirë mbështetjen për personat me aftësi ndryshe, nxitjen e biznesit të vogël dhe të mesëm, si dhe përmirësimin e shërbimeve publike, me synim forcimin e dimensionit social dhe ekonomik të politikave qeverisëse.
" Unë dua të flas pak më thjesht për faktin që qeveria vendosi të japë një tjetër bonus për pensionistët. Ju kujtohet, besoj, që vitin e shkuar u tha se po japin bonusin për fushatë. Ne s'kemi fushatë këtë vit. Ne s'kemi zgjedhje deri në vitin 2029, kështu që bonusi nuk ka lidhje me asgjë tjetër, përveçse me vëmendjen që ju kemi premtuar se do të kemi vijimësisht, jo vetëm për të zbatuar politikën e re që vendosëm dhe që ju tanimë po e prekni për rritjen e përvitshme të pensioneve, por edhe duke ju qëndruar pranë kur ekonomia na jep mundësi.
Dhe ka, për shembull, një komponent që ne nuk e kishim parashikuar në të ardhurat tona, që ishte rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. U rrit çmimi i naftës dhe, vetiu, u rritën edhe të ardhurat nga taksat, të gjitha ato që janë aty brenda në çmim për buxhetin e shtetit. E gjithë ajo pjesë që erdhi nga rritja e çmimit për shkak të luftës do ta merrni ju, do ta marrin pensionistët.
Kështu që edhe ata që u ankuan që u rrit çmimi, të ndihen mirë, sepse në këtë mënyrë kanë kontribuar që një pjesë e këtij bonusi të jetë edhe nga ata. Kush përdor makinë, ndot; pensionistët nuk ndotin dhe është gjëja më e natyrshme që një pjesë e këtij bonusi të jetë edhe nga ajo e ardhur.
Pra, asnjë euro që i është shtuar buxhetit nga parashikimet e të ardhurave prej çmimit të naftës nuk është mbajtur në buxhet, por është bërë pjesë e bonusit që do të marrin pensionistët që nga sot. E njëjta gjë vlen edhe për kapërcimin e parashikimeve në rritjen e të ardhurave në tërësi, të cilat sot janë pjesë e këtij bonusi. Por nuk janë vetëm pensionistët; janë edhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët prej kohësh prisnin pikërisht këtë që ne bëmë: dyfishimin e ndihmës për personat me aftësi të kufizuar.
Patjetër që ju ka takuar më përpara, por mundësitë nuk na kanë lejuar që ta bëjmë këtë gjë. Janë fëmijët me aftësi të veçanta. Ju kujtohet që u zotuam se do të dyfishojmë mbështetjen për të gjithë fëmijët me aftësi të veçanta. Dje u mor vendimi dhe fillon zbatimi për ta dyfishuar këtë mbështetje dhe nuk është një dyfishim i përkohshëm; është një dyfishim që do të jetë aty në çdo buxhet. Pra, është i parashikuar për çdo buxhet.
Një tjetër problem që kemi pasur ka qenë problemi i barrës së kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuar, për të cilët qëndrimi pranë një personi me aftësi të kufizuar përkthehej në mungesë mundësish për të paguar sigurime shoqërore dhe sigurime shëndetësore, apo jo, drejtor? Nga dje është vendosur që të gjitha sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuar do t'i paguajë shteti.
Rritja e ekonomisë na ka dhënë mundësi që, duke rritur të ardhurat, të rrisim garancinë sovrane, ta çojmë në 50 milionë euro garancinë sovrane që qeveria shqiptare do të vendosë në dispozicion të të gjithë atyre që kanë një biznes dhe që duan ta dyfishojnë atë. Flasim për biznese të vogla dhe të mesme. Nuk flasim për biznese të mëdha. Pra, cilido që ka një ndërmarrje dhe ka nevojë të ketë një mbështetje financiare për ta dyfishuar ndërmarrjen e vet, do të përfitojë nga programi i garancisë sovrane dhe nga linja e re e kredisë që ka vendosur në dispozicion Banka e Shqipërisë.
Dhe në këtë pikë, ne nuk do të ndalemi së rrituri mbështetjen në raport me rritjen e kërkesës, sepse çdokush që ka hapur një biznes të vogël apo të mesëm, ka hapur një ndërmarrje të vogël apo të mesme dhe që ka idetë dhe ka vullnetin për ta rritur atë, për ta dyfishuar atë, dhe i mungon baza financiare, nuk do të jetë vetëm; do të na ketë ne në mbështetje dhe do t'i japim garancinë dhe do t'i japim kredinë me një interes krejtësisht ndryshe nga interesi komercial i kredive nëpër banka.
Kemi vendosur një tjetër fond për të bërë një transformim. E kemi premtuar edhe këtë. Këto janë të gjitha gjëra të premtuara dhe janë zotime të mbajtura, por zotimet nuk mbahen sa hap e mbyll sytë. Zotimet mbahen duke krijuar mundësitë. Kur s'janë mundësitë, dhe ne vetëm këtë punë kemi, zgjerimin e mundësive. Zgjerimi i mundësive bëhet duke zgjeruar bazën financiare në dispozicion të shtetit dhe zgjerimi i kësaj baze bëhet duke zgjeruar volumin e ekonomisë.
E kemi nisur këtë punë me një prodhim të përgjithshëm të ekonomisë së Shqipërisë nën 10 miliardë euro. Sot jemi mbi 27 miliardë, por duam ta çojmë në 35 miliardë brenda vitit 2030. Që ta çojmë në 35 miliardë brenda vitit 2030, duhet ta rrisim ekonominë me investime. Duhet të kemi investime të brendshme, duhet të kemi edhe investime të huaja. Por do të vij edhe këtu, sepse unë e di që ju jeni të interesuar për këto temat e nxehta, se këto llogaritë e lapsit i bëni më mirë edhe se ministrja, edhe se shoqet këtu, edhe se unë po e po, se unë jam një copë piktor, nuk di të bëj llogari.
Ajo që po thosha është që jemi zotuar se do të sjellim një përmasë të re në transportin publik dhe, për këtë arsye, kemi bërë një projekt, i cili është një projekt i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në bashkëpunim me bashkitë, me koordinimin e Ministrit të Pushtetit Vendor, për të vendosur në dispozicion të bashkive, si fillim, duke vazhduar më pas me bashkitë që janë bashki turistike, ku numri i turistëve rritet në verë, një numër autobusësh elektrikë që nuk konsumojnë karburant, por punojnë me energji elektrike dhe që do të jenë një forcë e shtuar në një mjedis ku janë shtuar në mënyrë marramendëse turistët, por ku transporti publik ka mbetur mbrapa.
Dhe paralelisht me këtë kemi vendosur, po ashtu, një volum tjetër financimi për të vazhduar me mbrojtjen nga përmbytjet, mbrojtjen nga zjarret e kështu me radhë, për makineri që do t'u vihen në dispozicion bashkive dhe do të krijojmë një sistem mbrojtjeje të konsoliduar në nivel kombëtar.
Janë edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera, por këto janë ato që mund të them se kanë një impakt të drejtpërdrejtë, qoftë në ekonomi, qoftë në zhvillimin urban, qoftë në zhvillimin rural dhe, patjetër, në aspektin social.
Ndërkohë, kemi dyfishuar tani dhe, besoj, këto ditë do ta bëjmë, kemi dyfishuar financimin për të rinjtë, të rejat dhe të rinjtë që merren me teknologji dhe që krijojnë startup-e, të cilat më pas hapin rrugën për të krijuar biznese, ku kemi parë, falë edhe kësaj mbështetjeje që kemi bërë ndër vite, një rritje të madhe të aplikimeve. Kemi filluar me 40 e ca aplikime. Kemi arritur në një mijë e 180 e ca, apo 200, nuk ka rëndësi, por kemi kaluar mbi 1.000 dhe, duke qenë se fondi që kishim në dispozicion ishte i pamjaftueshëm për t'i financuar projektet që kanë potencial, kemi vendosur ta dyfishojmë atë fond.
Dhe nuk e kemi harruar, as nuk kemi si ta harrojmë, që "thembrën e Akilit" në gjithë këtë progres e përbën shëndetësia, ku tanimë transformimi i madh që kemi bërë i infrastrukturës duhet të shoqërohet me një rritje të cilësisë së shërbimit, të cilësisë së barnave e kështu me radhë.
Por qysh se ndodhi ajo kriza e shëmtuar e Onkologjikut, ne jemi fokusuar aty dhe, me aktin normativ, kemi vendosur dje 15 milionë euro vetëm për barnat onkologjike, të cilat do të fuqizojnë kapacitetet e sistemit për të vazhduar të bëjnë më të mirën për kurimin e pacientëve dhe, po ashtu, një sërë financimesh të tjera për shëndetësinë.
Ndërkohë, po përgatitemi për të bërë një hop tjetër, gjithmonë në bazë të mandatit që kemi marrë, besimit që na është dhënë dhe të gjitha atyre zotimeve që e kanë krijuar këtë besim dhe do të duhet të adresojmë në mënyrë shumë agresive, për tre vitet e ardhshme, domosdoshmërinë e rritjes së ndjeshme të cilësisë së shërbimit në sistemin tonë shëndetësor. Dhe këtë do ta bëjmë me partneritete. Kjo nuk bëhet vetëm; do ta bëjmë me partneritete, sepse këtu po krijohet një konfuzion i madh.
Këtu kemi rreth një muaj që dëgjojmë çudira shumë të mëdha, por unë nuk mendoj që i është lënë Shqipërisë dhe i është lënë shqiptarëve të rishpikin rrotën. Nuk mendoj që Shqipëria dhe shqiptarët kanë "etje" apo kanë "uri" për një tjetër eksperiment social dhe ideologjik, sepse i kemi provuar në të shkuarën.
Unë mendoj që ne duhet të jemi të vendosur që të rrisim kapacitetet tona për të konkuruar me të tjerët dhe, nëse të gjitha vendet, të gjitha shtetet; shtete demokratike, mbretëri, autokraci, diktatura, çfarë të doni ju, të gjitha, synojnë rritjen e investimeve të huaja, Shqipëria nuk mundet dot t'i konsiderojë investimet e huaja si kërcënim për sovranitetin dhe për integritetin territorial. Edhe për atdhetarinë dhe patriotizmin nuk është patriotizëm të refuzosh investimet e huaja.
Patriotizëm është të rrisësh kapacitetin ekonomik të vendit dhe të rrisësh volumin e të ardhurave në xhepin e pensionistëve, në xhepin e atyre që i shërbejnë shtetit dhe, patjetër, edhe në xhepin e bizneseve.
Patriotizëm nuk është të mjaftohesh me çfarë është arritur sot, sepse nëse Shqipëria do të mjaftohet me turizmin që ka arritur sot, Shqipëria do të bjerë në një tjetër hendek, në hendekun ku kanë rënë vendet që kanë mbetur peng i turizmit masiv.
Turizmi masiv na ka dhënë një dorë të jashtëzakonshme për të hapur fjalën në mbarë planetin që ky është një vend ku ia vlen të vish, ky është një vend ku ka mikpritje, ky është një vend ku ka bukuri natyrore.
Por turizmi masiv vjen edhe me probleme, me probleme që fillojnë nga rritja e stresit të sistemit për të mbledhur plehra dhe për të përpunuar mbetje, te stresi që krijohet në të gjithë infrastrukturën dhe, pa diskutim, pastaj edhe te fakti që e gjithë energjia që vihet në dispozicion për të përballuar këtë volum të madh, nuk përkthehet në një efektivitet të ardhurash.
Vijnë shumë njerëz dhe konsumojnë pak për atë masë që vjen. Ne na duhen më pak njerëz dhe më shumë para këtu. Por, që të vijnë më pak njerëz dhe të lënë më shumë para këtu, ne na duhet të kemi infrastruktura mikpritjeje të një niveli tjetër, sepse ata njerëz që lënë shumë para, duan një nivel tjetër.
Tani, gjithfarëlloj sharlatanësh, gjithëfarëlloj delirantësh, gjithëfarëlloj dështakësh që janë sprovuar në skenën publike dhe që kanë akumuluar një mllef shumë të madh, sepse iu duket se dështimi i tyre është për fajin tim dhe për fajin e qeverisë sonë, bëjnë teorira dhe i hedhin popullit gjithfarëlloj aguridesh se këto resorte luksi janë vetëm për ata që vijnë dhe shqiptarët janë jashtë sistemit.
Kjo është një çmenduri, sepse ato janë "fabrika" që krijojnë lëvizje në ekonomi. Ato nuk janë sisteme të mbyllura ku vijnë njerëzit, futen dhe ikin e s'i sheh njeri. Mund të mos i shohin, por ama e gjithë ekonomia rreth e rrotull vihet në lëvizje, sepse ato "fabrika", në thonjëza, por faktikisht ashtu janë, kanë nevojë për gjithë sistemin e prodhimit, kanë nevojë për fermerët rreth e rrotull, kanë nevojë për gjithë prodhimet vendase, kanë nevojë për gjithë sistemin e transportit rreth e rrotull, kanë nevojë për gjithë ata që peshkojnë, për të gjithë ata që rrisin dhe trajtojnë gjënë e gjallë e kështu me radhë.
Dhe është e provuar, dhe është në letra, që ato lloj investimesh sjellin, për çdo euro që lihet brenda hoteleve atje, 1.6 deri në 2 euro që krijohen jashtë. Por, më shumë sesa të gjitha këto, flet një fakt i thjeshtë fare: Shqipëria ka 27 miliardë e diçka euro ekonomi në vit, total. Tani, vjen një investim prej 4 miliardë eurosh në një ekonomi prej 27 miliardë eurosh. Është diçka masive, transformuese dhe, patjetër, që ndërkohë këto kanë edhe një impakt tjetër. Këto hapin rrugën për të tjerët. Ndërkohë që, nëse ti "i vë shqelmin në fyt" të parit, ti ke përzënë të tjerët dhe çfarë ke bërë? I ke falur konkurrencës atë që mezi është bërë e mundur të vijë te ti.
Këto janë çudira shqiptare. Çudira shqiptare të atij lloj shqiptari që Faik Konica e ka përcaktuar perfekt: "Të fal çdo gjë, po s'të fal suksesin". Suksesin nuk ta fal, çdo gjë tjetër ta fal.
Sot më dërguan disa edicione të revistës "National Geographic". Në "National Geographic", që është revista që merret me natyrën në nivel botëror, Shqipëria në vitin 2013 ka qenë një tmerr: fotografitë e kafshëve dhe të shpendëve të vrarë, fotografitë e gjahtarëve në lagunë me zogjtë e shtrirë... Ku ishin këta? Ku ishin këta?
Kanë problem këta me ndërtimet, me arkitektët dhe me bukuritë që po ndërtohen këtu? Po pse s'kanë problem këta me gjithë ato shëmtira që janë ndërtuar lart e poshtë, si mos më keq? Po pse nuk shkojnë këta të ngrenë zërin për banorë që nuk marrin dot akoma hipotekën sot, sepse i kanë lënë ndërtuesit pa hipotekë dhe janë zhdukur pa ua mbaruar pallatin, dikur me vite e vite të tëra e të tjera e të tjera?
Kështu që, të gjitha këto janë pjesë e një përballjeje shumë të qartë mes pyetjes: çfarë Shqipërie duam ne? Si e duam ne Shqipërinë në 2030, në 2035-ën, në 2040-ën? Si e duam ne zhvillimin? Çfarë turizmi duam ne? Si e kuptojmë ne vënien në dispozicion të natyrës dhe të bukurive të natyrës për ekonominë e njerëzve?
Ne nuk jemi zogj. Prandaj ne duhet t'i mbrojmë zogjtë dhe t'i shtojmë zogjtë, dhe të gjejmë rrugën që, nga bashkëjetesa mes nevojave tona dhe nevojave të zogjve, të krijohet një ekonomi virtuoze. Dhe kjo është sfida. Kjo është sfida dhe për këtë po punojmë, dhe për këtë po përpiqemi.
Çfarë Shqipërie duam ne? Duam një Shqipëri që të bëjë rolin e një figure globale që vendos kush ka të drejtë e kush e ka gabim në botë? Jo, unë jo, njëherë. Unë dua një Shqipëri që të ketë sa më shumë miq, që të ketë sa më shumë aleatë, sepse boll ka jetuar gjithë jetën vetëm me kundërshtarë.
Unë dua një Shqipëri që të jetë një vend në miqësi të ngushtë me Izraelin, me vendet arabe, me Turqinw, me Greqinw dhe me Evropwn.
Dhe pse na duhen këto miqësi? Na duhen këto miqësi që ne të rritemi, të forcohemi, të përfitojmë nga këto miqësi, të përfitojmë dijen, të përfitojmë nga marrëdhëniet me Izraelin teknologjinë, të përfitojmë kapacitetet e mbrojtjes. Na duhet të përfitojmë dije, të përfitojmë gjithçka që mund të përfitojmë nga vendet e Gjirit. Katari nuk ka marrëdhënie me Izraelin, por ne me Katarin kemi marrëdhënie vëllazërore.
Kjo është Shqipëria që na duhet ne. Ne na duhet një shtet me shumë miq.
Kështu që kjo histori është një histori shumë e qartë dhe unë e bëj shumë qartë ndarjen mes atyre që dalin të protestojnë sepse kanë shqetësime reale, kanë halle reale, kanë stres dhe zemërim real për një arsye apo për një tjetër; duke filluar nga ata që i kanë shqetësime të sinqerta fatet e zogjve. Është gjë shumë e madhe. Është gjë shumë e madhe, sepse në këtë bulevard janë vrarë njerëz, me pushkët e shtetit janë vrarë njerëz për të protestuar, pa bërë asgjë.
Sot është gjë shumë e madhe që është bërë bulevardi i Tiranës si karnavalet e Rio de Janeiro, që i ndjek gjithë bota. Apo jo? Shkojnë njerëzit, dalin, propozohen, dashurohen, ndahen, martohen në bulevard dhe kjo tregon që ne kemi krijuar kushtet që në këtë vend të lulëzojë edhe në këtë formë liria dhe demokracia.
Ca dalin atje, ca shohin futboll, ca luajnë basketboll, ca pinë kafe. Po kjo, "çohu nga kafja", "çohu nga kafja", thoshin skuadronet e Benito Mussolinit përpara se të vendosej atje ajo që erdhi më pas. "Çohu nga kafja" ishin edhe ato këmishat e murrme të atij tjetrit atje në Mynih. "Çohu nga kafja" s'ka. Kush do të rrijë në kafe, do të rrijë në kafe. Kush do të shkojë në punë, do të shkojë në punë. Kush do të protestojë, le të protestojë.
Dhe tjetra, patjetër që ne po përpiqemi ta lexojmë si duhet mesazhin, sepse protesta nuk është vetëm ajo që thuhet. Protesta është edhe ajo që nuk thuhet, edhe për mirë, edhe për keq. Protesta është ajo që nuk thuhet kur dalin atje shërbëtorë të paguar, mercenarë të ardhur nga Prishtina dhe nga Tetova dhe që bëjnë si diasporë, por është edhe ajo që nuk thuhet nga shumëkush që është aty, që nuk ka dalë atje për të bërë rrëmujë, por ka dalë atje sepse do më mirë këtu, më shumë aty, më bukur aty. Perfekt. Dhe këto janë të ndara.
Diktaturën dhe demokracinë, kjo i dallon. Në diktaturë, protestuesi është gjithmonë një kërcënim për interesat kombëtare dhe një armik që shfaqet e që duhet goditur, sepse në diktaturë prezumohet që diktatori, qeveria dhe pushteti kanë gjithmonë të drejtë. Në demokraci prezumohet ndryshe. Qeveria është aty për të marrë vendime, por çdo vendim i qeverisë mund të kontestohet qoftë edhe nga një individ i vetëm, dhe ai ka të drejtën ta bëjë këtë kontestim pa u cenuar. Dhe, nga ana tjetër, pikërisht sepse gjithkush ka të drejtë të kontestojë, monopolin e forcës në demokraci e ka shteti, nuk e ka individi, dhe kush përdor forcë kundër shtetit, pastaj futet në tjetër territor, për shkak se demokracia qëndron te ky pakt.
Qeveria ka të drejtën dhe detyrën të vendosë, por ama çdo qytetar dhe të gjithë qytetarët bashkë kanë të drejtën të kontestojnë një vendim të qeverisë. Pastaj vijmë te populli. Askush nga ne nuk është popull. Se e dëgjoj shpesh: "Unë popull jam". Jo, ti nuk je popull. Ti je një individ, pjesë e një populli. Populli është ai që flet kur vijnë zgjedhjet. Të tjerët flasin kur të duan, por në emër të popullit flet vetë populli kur i vjen radha në zgjedhje dhe askush nuk mund të dalë me çfarëdo lloj armate nga mbrapa dhe të thotë: "Ne jemi populli". Sepse, kur e kanë bërë në të shkuarën "ne jemi populli", e dini mirë pastaj se çfarë ka ardhur mbrapa. "Ne jemi populli", i thoshte Mussolini; "ne jemi populli", i thoshte ai tjetri atje; "ne jemi populli", thoshin këta të tjerët këtu që e bënë ujë gjakun e dëshmorëve. Populli është vetë.
Dhe këtu sot ka një lumë që rrjedh interesash, shqetësimesh, hallesh, problemesh, idesh dhe ka një kore të zezë mbi protestën. Merreni, shikojeni një nga një, nga dështakët politikë, te dështakët social-politikë, te dështakët e rrugëve të tjera të jetës që kujtojnë se tani u bë deti kos dhe do marrin në dorë fatet e vendit me dhunë ose me presion. Këto nuk ndodhin. Po, do e zgjedhin kryeministrin me short. Ta zgjedhin, ta zgjedhin. Thoshte Spartak Ngjela: "Sa qeveri kam bërë unë kur isha në burg". Problemi është çfarë mendon populli dhe si flet populli.
Ne jemi sot në këtë fazë. Më thonë: "Jo, po mos u merr ti". Po kush do merret? Njerëzit duhet të jenë të informuar. Njerëzit duhet të dinë që e drejta e tyre për protestë është e paprekshme, që çdo formë proteste, dhe sidomos ato format kreative, janë të mirëseardhura, sepse janë forma që ty, që je në krye, të bëjnë të mendosh, të sfidojnë dhe, në një vend ku opozita e ka braktisur përfundimisht detyrën, është e mirëpritur një formë e tillë që e vë qeverinë në mendime dhe që e vë nën një presion që vjen nga poshtë. Por në protestë janë edhe ata të cilët njerëzit duhet ta dinë se kush janë. Duhet ta dinë kur dikush është i financuar nga aktorë që janë armiq ose jo dashamirës, se ka disa lloj aktorësh. Duhet ta dinë kur dikush që del në protestë dhe premton Shqipërinë e lirë dhe të re e ka karrierën e vet të karakterizuar nga vepra penale. Duhet ta dinë kur dikush bën si i pavarur dhe si flamengo dhe, ndërkohë, ka dalë nga hundët e bufit të kënetës. Duhet t'i dinë të gjitha njerëzit.
Ndërkohë që, pastaj, problematikës së protestës ne do t'i drejtohemi në mënyrë të strukturuar, jo me llafe, dhe do të duhet të bëjmë një reflektim serioz. Kjo nuk diskutohet, sepse kemi bërë shumë gjëra, por koha sot ka pritshmëri më të larta. Dalin në protestë njerëz që kanë të ardhura shumë të larta. Për shembull, punonjës bankash.
Punonjësit e bankave paguhen më shumë se ministrat, dalin në protestë. Po ne nuk mund të themi: "Jo, pse dilni ju se jeni mirë". Ne duhet të kuptojmë çfarë nuk shkon për ta dhe si mund ta adresojmë. Duhet të shpjegojmë më shumë, duhet të komunikojmë më shumë etj., por janë gjëra që ne patjetër do t'i bëjmë të gjitha këto, se ne jemi Partia Socialiste.
Ajo që ne na ka mbajtur gjithmonë në këmbë dhe gjithmonë në formë është që nuk kemi pritur ne të na ndryshojnë të tjerët me forcë, në kuptimin të dështojmë pastaj të ndryshojmë. Por kemi bërë përpjekje për të ndryshuar vazhdimisht, për t'u hapur.
Është e kollajshme. Eksperienca ime më ka treguar diçka: në Shqipëri thonë të gjithë "merrni të rinj, fusni të rinj". Kur sapo i merr të rinjtë: "Po ç'është kjo? Po ç'është ky? Po ky? Po ku e gjetët këtë? Po ç'është kjo? Po ky? Po atë katundaren ku e morët?" Ja, s'keni faj. Shqipëria është kjo dhe hapja ka të gjitha rreziqet. Njerëzit, çdo njeri, ka vlerat e veta. Dikush arrin t'i tregojë, dikush nuk arrin t'i tregojë. Dikush do kohë më shumë, dikush e bën më shpejt, por është shumë e lehtë ta dominosh mejdanin kur nuk nxjerr kokën të thuash: "Po mirë, dakord, urdhëro, ma thuaj ti si do e bësh Shqipërinë". Se kur pastaj fillon e thua "do hedh short e do bëj kuvendin në sheshin Skënderbej", atëherë këtu hyjmë në fushën e neurologjisë. Nuk jemi më në fushën e politikës. Këtu kemi të bëjmë me fenomene të karakterit neurologjik, jo logjik, që nuk janë çështje jona e politikës.
Këto desha unë t'i ndaj me ju, se unë e di që ju aty e keni mendjen. Dhe kini parasysh edhe një gjë tjetër, sepse ju thanë vjet, dhe këta thonë që qeveria, Edi Rama, Partia Socialiste kapet mbas pensionistëve se ata i ka kështu kollaj. Në fakt, të vetmit që i bien lapsit në Shqipëri janë pensionistët. Këta që i bien Instagramit me gisht, nuk e di deri në çfarë pike arrijnë të logjikojnë, por vjet ju thanë: "Bonusi i pranverës është për zgjedhjet". Pastaj ju thanë: "Do jua rrisin, por nuk do ju japin bonusin e fundvitit".
Tani unë po ju them që bonusi që keni marrë sot dhe do të merrni në ditët në vijim është vetëm rezultati i gjashtë muajve pozitivë të ekonomisë. Nuk ka lidhje fare me të tjerat. Bonusi i fundvitit e keni aty te Banka e Shqipërisë. E keni aty dhe aty keni fondin tuaj. Gjithçka do të vijë vitin e ardhshëm do të vihet aty. Gjithçka do të vijë vitin tjetër do të vihet aty. Dhe ju kam thënë: janarin e ardhshëm do të dyfishohet shtesa e janarit të këtij viti. Janarin e 2028-s do të trefishohet, janarin e 2029-s do të katërfishohet shtesa dhe në janarin e 2030-s do të pesëfishohet. Pastaj, në 2031-in, do të hidhni short. Deri atëherë, siç thoshte Lor Boriçi i madh, "shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë".
Ne jemi sot në një pozicion ku realisht duhet të jemi krenarë edhe për mënyrën se si protestohet, edhe për faktin që gjithkush në Shqipëri ka të drejtën të mendojë, të flasë ç'të dojë.
Kjo protestë u tregon të gjithë atyre hienave, çakejve, sorrave dhe korbave, se ashtu janë, që rrinë dhe rrokanisin kokën e miletit çdo natë, që këtu është demokraci. Këtu nuk ka autokraci, këtu nuk ka rrahje protestuesish paqësorë. Ah, kur ti shkon atje një grup për të ushtruar presion fizik mbi deputetët, aty pastaj jemi në territore të tjera. Po ata që bëjnë këtë nuk kanë lidhje me flamingot. Flamingot janë paqësorë. Dallimi midis flamingove dhe sorrave e korbave është se flamingot janë paqësorë, ndërkohë që sorrat dhe korbat janë të dhunshëm. Kështu që ne, me flamingot, do t'i trajtojmë me shumë respekt dhe me shumë vëmendje shqetësimet dhe do të bëjmë më të mirën e mundshme. Do të bëjmë më të mirën e mundshme. Me sorrat dhe korbat ne nuk kemi çfarë bëjmë fare. Në fund, ata përsëri do të jenë të humbur dhe, siç u mblodhën kokrra-kokrra dhe bënë këtë tufën e zhurmshme, do të shpërndahen kokrra-kokrra dhe do të vazhdojnë të bëjnë atë "krah-kra-kra"-në e zakonshme.
- "Shyqyr që të kam përballë dhe shumë afër. Të kam adhuruar vetëm për atë që ti vrave një frikë që shqiptarët e kanë jetuar me vite, që në kohën e xhaxhit, në kohën e Salës dhe, të them të drejtën, unë i kam jetuar këto vite, këto breza; kam qenë fëmijë, e rritur dhe sot jam gjyshe. Unë të falënderoj shumë se ke bërë një vepër shumë të madhe për këtë. Ndërsa, po e nis që nga pensionet, në kohën e Salës i nxori të gjithë intelektualët me pensione shumë të vogla, mjekë, mësues e të gjithë. Unë kam dalë me pension të vogël në vitin 2014, por në bazë të rrogës që kishim. 490 tani ia ke bërë 800 mijë rrogën mjekëve. Domethënë, ia ke dyfishuar rrogën mjekëve. Këtë dua të them."
Kryeministri Rama: 800 mijë jo, çfarë 800 mijë?
- "Jo, jo. Mjekët e familjes. Mjekët ambulantë. Jo spitalin. Jo spitalin. Kështu që është një punë e madhe. Arsimtarët merrnin gjysmën e pagës. Ua ke rritur 50%."
Kryeministri Rama: Mjeku i përgjithshëm sot në Shqipëri është 1.2. Sot paga mesatare në Shqipëri, totalja, është 928 euro. Paga mesatare në sistemin publik është mbi 1000 euro. Tani, a është mjaftueshëm? Asnjëherë nuk është mjaftueshëm. Por pardje isha në Vlorë, se unë lëviz shumë, se unë s'kam vetëm një bulevard vajtje-ardhje. Isha në Vlorë. Kamerierët, 1000 euro të deklaruara dhe 50 euro mesatarisht çdo ditë bakshish, kamerierët. Dhe unë sfidoj këdo të dalë të ma provojë, të më gjejë mua një vend në bregdet ku paguhet në hotel një person për atë punë që bën më pak sesa në Greqi dhe të ma tregojë.
-"Sanitarja merrte 1200 euro në Qeparo, sepse isha një vit, më çoi djali. Tani, meqë është e fushës së mjekësisë, në fushën e mjekësisë kam punuar. Djali im mbaroi shkollën në 2010 dhe e mbaroi në Stamboll, doli me mesatare shumë të mirë dhe kërkoi punë. Më kërkuan 6000 euro. Unë nuk mund t'i jepja këto 6000 euro, sepse unë isha një kryefamiljare që po rrisja dy fëmijë dhe bëja dy punë. Dhe doli problemi i Gjermanisë. 'Mam', tha, 'a të vjen keq që unë të iki?' 'Të ikësh', i thashë, 'të shikosh jetën tënde'. Pra, fajtor për emigrimin e fëmijëve nuk jeni juve, Edi Rama; është që në 2010 emigrimi i rinisë."
Kryeministri Rama: Dëgjo, do të them diçka, se edhe kjo është një temë që meriton të diskutohet. Unë nuk mendoj që këtu ka fajtor, në radhë të parë. Unë mendoj që duhet ta ndajmë këtë gjë. O bëmë gjënë e duhur që dolëm nga bunkeri, ose bëmë gabim se ishim mirë të gjithë bashkë në bunker. Në momentin që ne dolëm nga bunkeri si vendi më i prapambetur i Europës, me diferencë shumë të madhe nga vendet ish-komuniste, ne hymë në një sfidë tjetër dhe natyrisht që vendi do kohën e vet që të arrijë të bëjë që njerëzit ta kenë pastaj ikjen një çështje të thjeshtë zgjedhjeje, se larg qoftë që njerëzit të rrinë të gjithë në një vend, se kjo është një botë gjithmonë e më e vogël dhe njerëzit lëvizin gjithmonë e më shumë, por që ta kenë zgjedhje, jo të detyruar.
Sot është e kuptueshme që për shumë të rinj që mund të jenë në zona periferike apo për shumë të rinj që i gënjen ideja që po të shkosh atje e gjen shtruar etj., është gjëja më normale që të tentojnë. Dhe ne nuk kemi fare pse të bëjmë shkencë. Kjo u ka ndodhur të gjitha vendeve që kanë dalë nga komunizmi. Dhe po të shikosh vendet që sot e kanë kapërcyer përfundimisht të shkuarën dhe janë tani vende që kanë pozicion shumë dinjitoz në Bashkimin Europian -Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria - në ato vende është koha e kthimeve. Sot është koha e kthimeve, sepse tani ata janë në gjendje që t'u ofrojnë njerëzve të njëjtat standarde.
Natyrisht që këtu nuk është çështje page vetëm. Unë e kuptoj shumë mirë. Këtu nuk është çështje page. Këtu është çështja e arsimit, këtu është çështja e shëndetësisë, këtu është çështja e shërbimeve etj. Dhe për të gjitha këto ne kemi akoma hendek për të mbyllur, por s'është faj i njërit apo i tjetrit. Është një periudhë historike që, siç e kanë kaluar të gjithë, do ta kalojmë edhe ne.
- "Unë desha të thoja këtë, që ai vërtet iku dhe ju e rregulluat shëndetësinë që të rinjtë të punojnë mjekë këtu dhe kjo është një kthesë e madhe për shtetin socialist, por djali gjithmonë më pyet si shkojnë punët, ka mall për Shqipërinë. Thotë: 'Unë do vij një ditë, mam'. 'Të vish', i them unë, 'të vish t'u shërbesh njerëzve të tu, t'i shërbesh Shqipërisë', edhe më shikon kështu. Të them të drejtën, kam mall për fëmijët e mi se i kam larg, por mua 1997-a më ka lënë pasoja. Unë humba njeriun më të shtrenjtë në '97-ën dhe nuk dua të përsëritet. Dhe kur i shikoj ata të rinj që tërhiqen qorrazi, dua t'u flas me zemrën e një nëne. Kujdes, se mund të bini viktima të njerëzve që kanë pikësynime shumë të këqija për Shqipërinë. Prandaj thirrini mendjes dhe shikoni kush është mbrapa këtyre organizatorëve që nuk ua njohim as fytyrën, që duan të përmbysin sistemin.Të uroj shëndet e gjithë të mirat."
Kryeministri Rama: Të falënderoj. Dua të shtoj një gjë këtu. Tani ne jemi në fund të rrugës që na e ka sjellë, na e kanë sjellë fati, se janë bashkuar shumë rrethana ku mund të realizojmë atë që ishte e paimagjinueshme për t'u realizuar konkretisht dhe për t'u bërë realitet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve: anëtarësimi në Bashkimin Europian.
Tani ne çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë duhet të bëjmë detyra, detyra, detyra dhe t'i raportojmë atje. Dhe këtu nuk është çështja të përmbyset, se këtu, e para njëherë, nuk ka asgjë për t'u përmbysur dhe, e dyta, kush mendon se mund ta përmbysë, gabon. Këtu çështja është të përmirësohet në vijimësi.
Ne i kemi vendosur shumë gjëra në vijë dhe ka shumë gjëra që, të vëna në vijë, duhet të shtyhen më tutje, por është absolutisht një pyetje që duhet bërë: kush ka interes që ta ndalojë këtë proces, se ky proces çdo lloj lëvizjeje që mund të imagjinojmë e ndalon. Çdo lloj lëkundjeje këtë proces e ndalon, mirëpo, po e ndaloi, mund të marrë shumë kohë të rivihet në lëvizje. Kush ka interes ta ndalojë këtë proces? Këtë proces ka interes ta ndalojnë, në mënyrë të vetëdijshme, forca që nuk duan që Ballkani të ndahet përfundimisht nga e shkuara dhe të ankorohet përfundimisht në Bashkimin Europian. Por këtë proces duan ta ndalojnë edhe shumë delirantë dhe shumë sharlatanë nga këta që bëjnë edhe sikur kanë lidhje speciale me BE-në, që nuk duan t'ia dinë fare për kostot e këtij procesi. Pra, pleshta që duan ta nxisin popullin që, për interesat e tyre, të djegin organizmin komplet. Nuk do të ndodhë, se s'ka çfarë të ndodhë, por ajo që unë e përsëris është të ndahet mirë, dhe ne jemi të parët që do ta bëjmë këtë gjë, të ndahet mirë pjesa e pastër. Ka të drejtë, s'ka të drejtë, kjo është temë tjetër, por që ka të drejtë absolute gjithkush që të jetë i pakënaqur dhe që të protestojë, kjo nuk diskutohet.
Pastaj, në garën e pakënaqësisë ndaj gjërave që nuk shkojnë, unë jam i gatshëm të futem dhe madje të fitoj, sepse, ndryshe nga ata që e shohin nga larg, unë e shoh nga brenda dhe unë e di shumë mirë sa gjëra nuk shkojnë dhe i shoh, por, ndryshe nga ata, duhet t'i rregulloj dhe jo thjesht t'i konstatoj e të bërtas, se nuk është ky roli; janë të ndara rolet.
Ndërsa për ata që pastaj janë ajo korja e zezë që ka mbledhur bashkë ata që janë nëpër ekrane, ata që janë nëpër portale, ata që janë nëpër lloj-lloj situatash të tjera, është një lloj e keqeje që Shqipërinë e ka ndjekur historikisht. Ndryshojnë emrat, ndryshojnë fytyrat, ndryshojnë kohët, por ajo e keqe është aty gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë, si mallkim që e ndjek nga mbrapa dhe që e ka penguar Shqipërinë në momente të caktuara të marrë vendimet e duhura ose që e ka detyruar të shkojë mbrapsht.
Ajo nuk ka për të ndodhur. Kjo është pak, por e sigurt. Por ajo që duhet të ndodhë është që energjinë, energjinë pozitive që ka në një masë të konsiderueshme kjo protestë, ne ta kanalizojmë në të mirë të vendit dhe në funksion të atyre gjërave që njerëzit, me shumë të drejtë, kërkojnë. Nuk ka asnjë diskutim këtu. Unë dëgjoj shumë: "Po mirë, si ka mundësi, ju i keni njerëzit aty dhe ata dalin e protestojnë?" Kjo është për ne krenari. Nuk është turp. Është krenari. Kjo është liria, siç është krenari për ne edhe pjesa e luftës kundër korrupsionit.
Këta kujtojnë se na vënë në pozitë të vështirë kur thonë: "Shiko se SPAK-u..." Po SPAK-u atë punë ka, për atë punë e kemi vendosur, e kemi vendosur që do ta bëjmë, e kemi mbështetur, e mbështesim; atë punë ka SPAK-u. Kjo tregon që ajo që ne kemi bërë ka qenë e vërtetë, nuk ka qenë me gjasme, sepse i kishim atëherë të kufizuara forcat, se nuk kishim votat që kemi sot dhe e shtymë këtë punë përpara dhe i tërhoqëm të gjithë mbrapa nesh.
Sot i kemi të gjitha votat që na duhen. Nëse nuk do të ishim të lumtur fare dhe nëse nuk do të donim që kjo gjë të ndodhte, do ta kthenim me kokë poshtë. Por nuk është absolutisht kjo diçka që neve na shkon nëpër mend, sepse ne jemi këtu jo thjesht për të qeverisur; jemi këtu për të lënë mbrapa një shtet europian në Bashkimin Europian.
Nuk jemi këtu thjesht për të qeverisur e për të shtyrë kohën në qeveri, por jemi për të vendosur gurë që nuk lëvizin më.
-Faleminderit shumë. Është bërë një propagandë e madhe nga ana e mediave, duke vjellë vrer. Dua t'ju informoj, megjithëse ju e dini shumë mirë, pse gjithë këto kanale, Radio Televizioni Shqiptar e të tjera, nuk punojnë kaq shumë për t'u kundërvënë drejt këtyre thashethemeve, këtyre poshtërsive që ata i nxjerrin gjatë gjithë ditës e gjithë natës. Pse qëndrojnë kaq në heshtje, por merren me probleme kulturore, sportive e të tjera që duhen? Për shembull, vetëm kjo biseda që ju bëtë këtu me gjithë ministrin është shumë domethënëse. Kur të them domethënëse, do të thotë që ne që jemi këtu i kuptuam gjërat shumë mirë, shumë drejt dhe televizioni, radioja duhet të flasin përditë për gjithë këto arritje. Një vendim, një ditë është bërë mbledhja e qeverisë dhe ka nxjerrë gjithë këto vendime kaq domethënëse në interes të publikut, të popullit. Partia Socialiste dhe qeveria e saj e mban fjalën. Ju faleminderit.
Kryeministri Rama: Tani, edhe kjo e Radio Televizionit Shqiptar prapë është diçka që tregon që këtu ka shumë liri. Radio Televizionin Shqiptar, unë personalisht nuk e shoh, që të jemi të qartë, dhe nuk shoh asnjë nga këta. Nuk është sekret. Nuk i shoh fare, sepse nuk kam kohë të shoh televizor dhe, kur më jepet mundësia të shoh televizor, e kam për filma ose për sport, jo për këta. Sportin e këtyre unë e kam parë, ia kam pirë dhe lëngun, edhe le të vazhdojnë.
Por një gjë e di unë, për shembull, që një nga zërat më të çjerrë për të cilët fole, çirret sepse ka probleme të mëdha me ligjin dhe me shtetin, probleme të mëdha me ligjin dhe me shtetin që duhet t'i zgjidhë drejtësia. Drejtësia nuk vepron akoma. Bëhet fjalë për miliona e miliona euro të marra nga ju, nga të gjithë taksapaguesit dhe për shumë gjëra të tjera. Kështu që janë me halle. Dakord? Por ne nuk jemi ata që këta thonë se jemi. Ne nuk ushtrojmë forcë, nuk ushtrojmë presione të natyrave të pajustifikueshme për një pushtet ekzekutiv demokratik dhe kemi kalitur durimin.
Unë personalisht, nga një nga njerëzit më të paduruar që kam qenë në gjeneratën kur krijoja probleme, jam bërë një nga njerëzit më të durueshëm, sepse duhet të durosh, duhet bërë puna, duhet parë objektivi, duhet parë ajo maja ku duhet të shkojmë. Nuk duhet të fokusohemi shumë dhe duhen ndihmuar njerëzit që të ndajnë, në këtë situatë, veten, me të gjithë të drejtën e tyre që kanë për të qenë të pakënaqur, për të qenë të zemëruar, për të qenë në protestë, qoftë edhe jo fizikisht atje. Dhe bëjnë mirë që nuk po shkojnë më atje, se atje ka vetëm halle, ka vetëm halle që mund të krijohen.
I keni parë vetë lloj-lloj fytyrash problematike, me të shkuar shumë të errët, por që janë shpirtërisht pjesë e kësaj gjëje. Duhen ndarë këta me ata që kanë shqetësime reale. Dhe është e çuditshme se janë bashkuar të gjitha llojet e çudirave atje, që nga ata lunatikët neomarksistë, tek ata që janë neofashistë, se nuk ka brirë neofashizmi. Të thuash që ka ardhur koha e plumbit nuk ka brirë neofashizmi. Kështu që, nga ekstremi në ekstrem, janë mbledhur të gjithë bashkë atje dhe lloj-lloj marifetçinjsh, lloj-lloj, domethënë, mbetjesh të Ballit Kombëtar e të lloj-lloj strukturave, plus njerëz të futur atje për llogari të tjera. Domethënë, një konglomerat çudirash që i bashkon vetëm një gjë: dështimi.
Njerëz të dështuar, dështakë, dështakë të zemëruar që duan me patjetër të krijojnë një gjë që të ngushëllojnë veten e tyre. Nuk kanë për t'ia dalë në asnjë formë, por nuk është kjo sfida jonë.
Këtë dua që ta kuptoni dhe ta kuptojmë. Nuk është sfida jonë t'i mundim ata. Ata janë aty sepse opozita zyrtare ka braktisur detyrën. Domethënë, e kuptoni ju tani të jesh në opozitë dhe të fshihesh që të mos dukesh dhe t'u thuash njerëzve: "Dilni ju atje". Domethënë, të jesh një opozitë, fytyra e së cilës është e papranueshme edhe mes atyre fytyrave që dalin atje, për të marrë peng gjithë protestuesit e tjerë që janë njerëz qytetarë. Dhe ky boshllëk bën që pastaj të dalin këta, fundi i fundit, të dalin atje sipër.
Megjithatë, nuk janë këta problemi. Problemi ynë janë shumica që duan përgjigje, shumica që duan adresim të atyre gjërave që nuk shkojnë. Jo të gjitha gjërat mund të zgjidhen. Mirëpo problemi këtu është që është shumë e vështirë ta përcjellësh të vërtetën. Është shumë e vështirë, sepse të mbyt gënjeshtra, të mbyt shpifja, të mbyt gjëja që përsëritet dhe përsëritet e përsëritet nga të katër anët. Dhe kjo është një sfidë më vete. Por kjo është sfida së cilës ne nuk i shmangemi dot dhe duhet të gjejmë mënyrën se si ta përballojmë.
Ju falënderoj shumë dhe është e vërtetë, ne e mbajmë fjalën, por është po kaq e vërtetë që jo të gjitha fjalët mbahen në kohën që ti do t'i mbash, sepse ca gjëra bëhen më shpejt, ca gjëra bëhen më vonë. Vetëm ama një gjë është e sigurt: çdo fjalë që ne e kemi dhënë, nuk e harrojmë derisa e mbajmë. Kjo është e sigurt."/dritare.net