Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Berisha akuzoi policinë për dhunë, Balla i përgjigjet me videon e protestuesit që i vërsulet efektivit me gur

Pas tensioneve dhe përplasjeve të shënuara gjatë protestës së sotme para Kuvendit, Partia Demokratike akuzoi qeverinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve paqësorë.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se forcat e rendit, me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Taulant Balla, ushtruan “dhunë shtazore” ndaj qytetarëve të mbledhur përpara Parlamentit.

“Partia Demokratike ndoqi sot me shqetësimin më të madh skenat e dhunës shtazore të urdhëruara nga Edi Rama dhe Taulant Balla ndaj protestuesve paqësorë. Narko-policia përdori lëndë toksike, gaz lotsjellës të skaduar, spraj, lëndë piroteknike, topa uji, si dhe zvarriti e përgjakoi protestuesit me një egërsi të papërmbajtur”, u shpreh Berisha.

Por pas këtyre deklaratave, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, publikoi në rrjetet sociale një video, përmes së cilës synon të përgënjeshtrojë pretendimet e opozitës se protesta ishte paqësore.

Pamjet e shpërndara nga Balla tregojnë një moment kur një i ri i afrohet forcave të policisë duke mbajtur një gur të madh në duar, ndërsa protestues të tjerë vijojnë të hedhin gurë në drejtim të efektivëve. Në sfond dëgjohet zëri i Sali Berishës, i cili akuzon policinë për ushtrim dhune ndaj qytetarëve.

Balla nuk ka shoqëruar videon me asnjë koment, por publikimi i saj duket se synon të tregojë se incidentet dhe aktet e dhunës kanë ardhur nga ana e protestuesve dhe jo nga forcat e rendit.

Nga përplasjet e sotme para Kuvendit, disa efektivë policie mbetën të plagosur, ndërsa autoritetet vijojnë të verifikojnë të gjitha incidentet e regjistruara gjatë protestës./dritare.net