A po shuhet Ëndrra Amerikane? Pas 250 vitesh, amerikanët po humbasin besimin tek e ardhmja
Dritare.net

Përshtatur me shkurtime nga BBC
Teksa Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e pavarësisë, një pyetje po bëhet gjithnjë e më e fortë në mesin e amerikanëve: a ekziston ende Ëndrra Amerikane?
Për dekada me radhë, Amerika është konsideruar si vendi i mundësive të pafundme, ku puna e ndershme dhe përkushtimi garantonin një jetë më të mirë. Por sondazhet e fundit tregojnë se besimi në këtë ideal historik po lëkundet ndjeshëm.
Një studim i Associated Press-NORC zbulon se vetëm një e treta e amerikanëve besojnë se Ëndrra Amerikane vazhdon të jetë e gjallë, ndërsa një sondazh tjetër i Pew Research Center tregon se shumica mendojnë se ditët më të mira të vendit tashmë i përkasin së kaluarës.
Historia e Abdi Nor Iftin, një refugjat somalez, ilustron më së miri këtë kontrast. Në vitin 2013 ai fitoi lotarinë amerikane, një mundësi që i ndryshoi jetën. I rritur në Somali, mes luftës dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga grupet ekstremiste, ai e shihte Amerikën si tokën e lirisë dhe të mundësive.
Pasi u vendos në shtetin e Maine, Abdi ndërtoi një jetë të re, punoi, fitoi shtetësinë amerikane dhe realizoi ëndrrën e tij të fëmijërisë. Megjithatë, sot ai shprehet se situata ka ndryshuar.
"Mendoj se Ëndrra Amerikane është ende gjallë, por nuk është në gjendjen e saj më të mirë", thotë ai, pasi humbi punën dhe sigurimin shëndetësor gjatë këtij viti.
Në anën tjetër qëndron historia e Luke Mullen, një aktor i ri nga Kalifornia, i cili po mendon të largohet nga SHBA për në Kanada. Sipas tij, mundësitë në industrinë e filmit janë tkurrur ndjeshëm, ndërsa përqendrimi i pasurisë në duart e një pakice ka reduktuar shanset për brezat e rinj.
"Pasuria po përqendrohet gjithnjë e më shumë dhe, si pasojë, mundësitë po zvogëlohen", shprehet ai.
Ekspertët argumentojnë se koncepti i Ëndrrës Amerikane ka ndryshuar ndër vite. Fillimisht, ajo lidhej me lirinë, sigurinë dhe mundësinë për të krijuar një identitet të ri larg kufizimeve klasore të Evropës. Sot, për shumë njerëz, ajo identifikohet kryesisht me suksesin ekonomik, pronësinë e një shtëpie, arsimimin e fëmijëve dhe një jetë të qëndrueshme të klasës së mesme.
Por statistikat tregojnë se ky objektiv është bërë gjithnjë e më i vështirë për t'u arritur. Studimet e ekonomistit të Harvardit, Raj Chetty, tregojnë se 90% e amerikanëve të lindur në vitin 1940 fitonin më shumë se prindërit e tyre, ndërsa kjo shifër ka rënë në vetëm 50% për brezin e lindur në vitet 1980.
Shumë studiues e lidhin këtë ndryshim me globalizimin, stagnimin e pagave dhe rritjen e pabarazisë ekonomike që nga vitet '70. Një tjetër goditje e fortë ishte kriza financiare e vitit 2008, e cila e bëri më të vështirë blerjen e shtëpive dhe garantimin e një pune të qëndrueshme.
Në të njëjtën kohë, politikat e ashpra të emigracionit gjatë viteve të fundit kanë ulur ndjeshëm numrin e emigrantëve që hyjnë në SHBA, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh po zgjedhin të jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Kanada dhe Europë.
Megjithatë, pavarësisht skepticizmit, shumë qytetarë vazhdojnë të besojnë se Ëndrra Amerikane nuk ka vdekur. Për ta, ajo mbetet simbol i lirisë individuale, i mundësive dhe i shpresës për një jetë më të mirë.
Brandon Patty, një zyrtar lokal nga Florida, thotë se ai e jeton çdo ditë këtë ëndërr. I pari në familjen e tij që mbaroi universitetin, ai beson se Amerika mbetet vendi ku njeriu mund të ndërtojë të ardhmen e tij, pavarësisht vështirësive.
Sipas ekspertëve, sfida e madhe për 250 vitet e ardhshme të Shteteve të Bashkuara do të jetë pikërisht rikthimi i besimit te ky ideal, në mënyrë që Ëndrra Amerikane të mos mbetet thjesht një mit historik, por një realitet i arritshëm për të gjithë qytetarët.