Demokratët fitojnë kontrollin e Kongresit amerikan pas zgjedhjeve të mesmandatit
Dritare.net

Demokratët kanë fituar shumicën si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, duke marrë kontrollin e Kongresit për pjesën e mbetur të presidencës së Donald Trump.
Presidenti Trump ka pranuar humbjen, duke vlerësuar se demokratët “bënë një punë të mirë”. Ai gjithashtu ka pranuar se lufta me Iranin dhe rritja e çmimeve të karburantit kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Sipas analizës së BBC-së, pakënaqësia e votuesve lidhet kryesisht me rritjen e kostos së jetesës, për të cilën shumë amerikanë fajësojnë administratën e presidentit.
Në garën për Senat, demokratët kanë arritur fitore në disa shtete tradicionalisht republikane, përfshirë Teksasin, Ohion dhe Kansasin. Ky i fundit nuk kishte zgjedhur një senator demokrat prej gati një shekulli.
Ndërkohë, në Miçigan gara për Senat mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht. Megjithatë, kandidati demokrat Abdul El-Sayed ka shpallur fitoren.
Marrja e kontrollit të të dy dhomave të Kongresit nga demokratët pritet të ndikojë në agjendën politike të presidentit Trump, pasi ata do të kenë një rol më të madh në shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij./L.F-dritare.net