Na ndiqni edhe në

Bota

Polonia në gatishmëri, Donald Tusk: Po përgatitemi për çdo skenar nga Rusia


Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka paralajmëruar se vendi po përgatitet për skenarë të ndryshëm përballë kërcënimeve që vijnë nga Rusia, duke theksuar se muajt e ardhshëm mund të jenë vendimtarë për sigurinë e rajonit dhe të aleancës së NATO-s.

Deklarata e tij erdhi pas raportimeve mediatike se Moska mund të jetë duke planifikuar një provokim të armatosur në territorin polak, me qëllim testimin e vendosmërisë së NATO-s, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës amerikane.

“Nuk dua të tremb askënd, por muajt e ardhshëm mund të jenë vërtet kritikë, edhe për shkak të natyrës së re të luftës. Këto shqetësime ndihen veçanërisht në vendet baltike”, deklaroi Tusk para gazetarëve.

Sipas medias polake Onet, burime pranë presidentit Karol Nawrocki kanë bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Varshavën për një plan të mundshëm sulmi ndaj Polonisë. Deri më tani, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit nuk kanë komentuar mbi këto raportime.

Mediat britanike raportojnë se infrastruktura polake mund të jetë objektiv i sulmeve me raketa ose dronë, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e infiltrimit të forcave ushtarake në territorin e një vendi anëtar të NATO-s.

Sipas këtyre skenarëve, synimi i Rusisë do të ishte rritja e presionit ndaj aleatëve perëndimorë të Ukrainës për të reduktuar ose ndërprerë ndihmën ushtarake për Kievin, i cili vazhdon të përballet me pushtimin rus të nisur në vitin 2022.

Duke komentuar raportimet, Tusk theksoi se Polonia nuk duhet të injorojë asnjë kërcënim.

“Po përgatitemi për çdo situatë të mundshme. Jemi të vetëdijshëm për rreziqet, falë edhe informacionit që marrim nga aleatët tanë”, u shpreh ai.

Presidenti polak Karol Nawrocki pritet të marrë pjesë javën e ardhshme në samitin e NATO-s në Turqi, ku liderët e vendeve anëtare do të diskutojnë forcimin e mbrojtjes kolektive dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se samiti do të tregojë angazhimin e vendeve evropiane për rritjen e shpenzimeve ushtarake, ndërsa pritet të riafirmohet edhe financimi për furnizimin me armë të Ukrainës.

Edhe më herët, drejtues të lartë polakë kanë paralajmëruar për rrezikun e provokimeve ruse. Ministri i Jashtëm Radek Sikorski ka deklaruar se nuk përjashton mundësinë e një operacioni të tipit “flamur i rremë” nga Moska, për të justifikuar një sulm ndaj një shteti anëtar të NATO-s.

Ndërkohë, edhe vendet baltike kanë shprehur shqetësime të ngjashme. Shërbimet inteligjente letoneze kanë paralajmëruar për provokime të mundshme ushtarake në rajon, ndërsa përfaqësuesit lituanezë në NATO besojnë se Rusia mund të fokusohet më shumë te lufta hibride, përmes sulmeve me dronë, raketa apo ndërhyrjeve kibernetike, sesa te një ofensivë tradicionale.

Sipas Nenit 5 të NATO-s, një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës, duke aktivizuar mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare./dritare.net