Nga një fëmijë i rritur në garazh te kampioni më i ri në historinë e Formula 1, historia e Kimi Antonellit
Dritare.net

Kimi Antonelli ka shkruar historinë e Formula 1, duke u bërë kampioni më i ri në historinë e këtij sporti. Në moshën vetëm 20-vjeçare, piloti italian i Mercedesit ka arritur majat e automobilizmit, pas një rrugëtimi që nisi shumë herët, mes garazheve, motorëve dhe pistave të garave.
Në një rrëfim për BBC Sport, babai i tij, Marco Antonelli, tregon se talenti i të birit u bë i dukshëm që në fëmijëri. Një nga momentet që i mbeti më shumë në kujtesë ndodhi kur Kimi ishte vetëm 10 vjeç. Babai e mori me vete në një Lamborghini dhe i la kontrollin e timonit dhe marsheve, ndërsa vetë menaxhonte gazin dhe frenat.

Me shpejtësi që arriti deri në 320 km/h, Kimi arriti të kontrollonte rrëshqitjen e makinës me një saktësi të jashtëzakonshme. Pas asaj eksperience, Marco kuptoi se i biri mund të kishte diçka të veçantë.
I lindur në një familje të lidhur ngushtë me motorsportin, Kimi ishte në garazh që kur ishte vetëm 15 ditësh. Në moshën trevjeçare nisi të përdorte simulatorët e garave, ndërsa në pesë vjeç provoi për herë të parë një kart.

Rruga e tij drejt Formula 1 u shoqërua me rezultate të rëndësishme. Ai fitoi Kampionatin Evropian të Kartingut në vitin 2021, titullin në Formula 4 në vitin 2022 dhe Kampionatin Evropian Formula Regional në vitin 2023.
Talenti i tij tërhoqi vëmendjen e Mercedesit që në moshën 11-vjeçare, kur u përfshi në akademinë e pilotëve të skuadrës. Drejtuesi i Mercedesit, Toto Wolff, e shihte Antonellin si një nga talentet që mund të merrnin një ditë rolin e Lewis Hamiltonit.

Kur Hamilton vendosi të largohej drejt Ferrarit për sezonin 2025, Mercedes mori vendimin për t'i besuar një vend në Formula 1 Antonellit, pavarësisht moshës së tij të re dhe mungesës së përvojës në këtë kategori.
Sezoni i parë nuk ishte i lehtë. Pas disa momenteve të shkëlqyera, përfshirë pole position në garën sprint në Miami, italiani kaloi një periudhë të vështirë, me gabime dhe probleme besimi. Edhe një aksident në provat e lira në Monza, në vitin 2024, ishte një moment që ndikoi në presionin që ndiente piloti i ri.

Megjithatë, Antonelli arriti të rikthehej. Në sezonin e dytë, ai shpërtheu me paraqitje mbresëlënëse, duke fituar gjashtë gara dhe siguruar gjashtë pole position në 11 garat e para, ndërsa krijoi një avantazh prej 50 pikësh në kampionat.
Një nga momentet më të veçanta ishte fitorja në Çmimin e Madh të Italisë në Monza, ku pavarësisht se u nis nga vendi i 19-të për shkak të një penaliteti të motorit, arriti të triumfonte pas një gare të jashtëzakonshme.

Babai i tij, Marco, e përshkruan Kimin si një pilot me një mentalitet shumë të fortë, ndërsa Toto Wolff vlerëson përqendrimin, qetësinë dhe aftësinë e tij për të analizuar gabimet dhe për të ecur përpara.
Vetë Antonelli e konsideron të atin si mbështetjen e tij më të madhe, duke e cilësuar si “shkëmbin” ku është mbështetur gjatë gjithë karrierës.

Nga një fëmijë që nisi të drejtonte kartin në moshën pesëvjeçare, te kampioni më i ri në historinë e Formula 1, historia e Kimi Antonellit është një rrugëtim i ndërtuar mbi pasionin, punën dhe mbështetjen familjare./L.F-dritare.net