Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjyqtarja e Kushtetueses: Arresti ndaj Erion Veliajt nuk është mbështetur në prova të mjaftueshme dhe konkrete

Në vendimin nr. 57 të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarja Sonila Bejtja ka mbajtur një qëndrim shumë të fortë për masën “Arrest në burg” ndaj Erion Veliajt.

Në mendimin e saj pjesërisht kundër, ajo vlerëson se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme dhe bindëse ekzistencën e provave që justifikojnë dyshimin se Veliaj mund të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Sipas gjyqtares Bejtja, dyshimi i arsyeshëm nuk mund të prezumohet. Ai duhet të mbështetet në fakte, prova dhe informacione konkrete, të afta të bindin një vëzhgues objektiv se personi mund të ketë kryer një vepër penale.

Në rastin konkret, ajo vlerëson se ky standard nuk është përmbushur.

Gjyqtarja Bejtja thekson se vendimet e gjykatave janë mbështetur në fakte të përgjithshme dhe të pakonkretizuara, sidomos për lidhjen individuale të Erion Veliajt me veprat penale që i atribuohen. Sipas saj, gjykatat kanë renditur prova dhe akte, por nuk kanë shpjeguar në mënyrë bindëse se si këto prova lidhen konkretisht me veprimet e Veliajt.

Ajo vëren se nuk mjafton të thuhet se disa shoqëri kanë përfituar leje ndërtimi ose kontrata publike nga Bashkia e Tiranës. Duhej të argumentohej konkretisht nëse këto leje apo kontrata kanë qenë të paligjshme, nëse janë dhënë në kundërshtim me ligjin dhe nëse Veliaj ka vepruar për shkak të një përfitimi të parregullt.

Gjyqtarja Bejtja thekson gjithashtu se gjykatat kanë lidhur sponsorizime, evente kulturore dhe marrëdhënie të subjekteve private me bashkëshorten e Veliaj, por pa arritur të provojnë lidhjen konkrete të këtyre marrëdhënieve me veprime penale të kryera nga vetë ai.

Sipas saj, vendimeve të gjykatave, edhe pse voluminoze, u mungon arsyetimi për lidhjen mes provave të administruara dhe sjelljeve konkrete që përbëjnë elemente të veprave penale.

Edhe më e rëndësishme është se gjyqtarja Bejtja e sheh këtë si pjesë të një problemi më të gjerë. Ajo vëren se, ashtu si në shumë raste të tjera të ngjashme, gjykatat nuk kanë mundur të dalin përtej formalizmit të tepruar që përshkon arsyetimin e vendimeve për caktimin e masave të sigurimit.

Me fjalë të tjera, sipas saj, nuk mjafton që vendimet të jenë voluminoze. Nuk mjafton të renditen akte, prova dhe dyshime. Gjykata duhet të tregojë qartë se cilat janë faktet konkrete, cilat janë provat konkrete dhe si lidhen ato me personin konkret që po i kufizohet liria.

Sonila Bejtja shprehet edhe më fort kur thotë se gjykatat nuk kanë arritur të dëshmojnë qoftë edhe në nivelin e indicieve minimale faktet penale që i janë ngarkuar kërkuesit.

Sipas saj, nëse provat mbi të cilat mbështetet masa e arrestit janë të mangëta, të paplota, të paqarta ose të paafta për të krijuar dyshimin e arsyeshëm, atëherë masa shndërrohet në haptazi arbitrare.

Në përfundim, gjyqtarja Bejtja arrin në konkluzionin se arsyetimi i gjykatave nuk bind as një vëzhgues objektiv se Erion Veliaj mund të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Për këtë arsye, ajo ka votuar për pranimin e kërkesës, prishjen e vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe GJKKO-së së Apelit, dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në GJKKO-në e Apelit, me qëllim riparimin e shkeljeve dhe rivendosjen e të drejtave kushtetuese të cenuara./dritare.net