Video/ U zhvati 50 milionë euro evropianëve me call center, arrestohet Granit Pepnikaj
Dritare.net

Granit Pepnikaj është arrestuar nga Policia e Vlorës në zonën e Dhërmiut, ku dyshohet se fshihej në një rezidencë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin personat e ndaluar, janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë si dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Operacioni u zhvillua në kuadër të një aksioni të koduar “Rrjetet”, i realizuar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas policisë, operacioni është rezultat i ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale.
Gjatë ndërhyrjes në zonën e Drimadhës, u kapën dhe u arrestuan shtetasit Granit Pepnikaj, 29 vjeç, dhe Xhoni Hitaj, 31 vjeç, të dy të shpallur në kërkim nga autoritetet.
Pepnikaj kërkohej pasi, me vendim të Gjykatës së Tiranës të datës 30.04.2026, i ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Ndërsa Xhoni Hitaj rezulton i kërkuar me vendim të datës 13.04.2026, gjithashtu nga Gjykata e Tiranës, me masën “Arrest në burg” për të njëjtën vepër penale.
Gjatë operacionit, policia ka arrestuar në flagrancë edhe shtetasin Redion Rexhmati, 28 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./dritare.net