Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

AGSH: Dënojmë me forcë sulmin fizik ndaj gazetares në protestë!

Një gazetare u dhunua fizikisht dhe verbalisht sot në sheshin para Kryeministrisë nga një grup protestuesish, teksa raportonte dhe i jepte zë tubimit të tyre

Gazetarja e Top News, Keida Muka, po raportonte drejtpërdrejtë për publikun e gjerë, ku disa qytetarë filluan të shtyjnë dhe lagin me ujë. Nga reagimi agresiv dhe i pakuptimtë i protestuesve, nuk shpëtoi as operatori që shoqëronte gazetaren Muka.


Për ngjarjen e rëndë reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, që përmes një deklarate publike dënoi “me forcë sulmin fizik dhe pengimin e ushtrimit të detyrës ndaj gazetares së Top Neës, Keida Muka, gjatë raportimit të saj të drejtpërdrejtë nga protesta e qytetarëve”.

"Asnjë gazetar nuk duhet të bëhet objekt dhune, kërcënimi apo intimidimi për shkak të punës së tij. Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një cenim të rëndë të lirisë së medias dhe të së drejtës së publikut për t'u informuar.

AGSH rithekson se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore demokratike, por ajo nuk mund të shndërrohet në justifikim për sulme ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike që janë në terren për të pasqyruar ngjarjet.

I bëjmë thirrje koordinatorëve të protestës dhe të gjithë pjesëmarrësve të respektojnë punën e gazetarëve, pavarësisht qëndrimeve ndaj mediave.

Po ashtu, u kërkojmë autoriteteve të identifikojnë autorët e incidentit dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore”,- thuhet në reagimin e AGSH-së./dritare.net