
Ministri Vengu inspekton laboratorin ushtarak në Spitalin e Traumës!
Dritare.net
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu inspektoi sot laboratorin e ri ushtarak në Spitalin e Traumës. Gjatë fjalës së tij Vengu tha se ky laborator do t’u ofrojë shërbime jo vetëm ushtarakëve aktivë, por edhe atyre në rezervë, duke shtuar së në total përbëjnë një grup prej rreth 75 mijë pacientësh. Ndërkohë mjekët thanë se aparaturat e reja ofrojnë besueshmëri të lartë shkencore dhe janë shumë të avancuara.
“Në bazë të ligjit të gjitha asetet si ky laborator i ri që vihet në funksion, sot janë të destinuara t’i ofrojnë shërbime jo vetëm ushtarakëve aktivë, familjeve të tyre, por edhe ushtarakëve në rezervë, ushtarakëve në lirim, rekrutëve të rinj dhe për pasojë janë një grup prej 75 mijë pacientësh që mund të përfitojnë nga këto shërbime duke ulur pak edhe presioni në një farë mënyre në shërbimin shëndetësor publik dhe kjo është padyshim pozitive”, u shpreh ministri Vengu.
Vengu theksoi rëndësinë e këtij laboratori si një shtyllë të domosdoshme për shëndetin dhe gatishmërinë e Forcave tona të Armatosura, duke garantuar që ushtarakët të kenë mbështetje profesionale dhe moderne mjekësore në çdo kohë.
“Është e rëndësishme që ta shpjegojmë edhe për publikun se Spitali Ushtarak është prej një dekade në fakt një strukturë civile ushtarake. Në kushtet kur jemi duke investuar fuqimisht në mbrojtje e siguri, buxhetet e mbrojtjes janë në rritje çdo vit. Vizioni dhe misioni që na ka dhënë qeveria shqiptare është që të mund të gjenerojmë investime që janë në dobi dhe të ushtarakëve dhe civilëve.
Ky është një shembull perfekt dhe duhet të vijojmë të kemi gjithë rikonstruksionin e korpusit kryesor të spitalit, investimi po vijon dhe duhet të ecim në këtë rrugë. Sa herë investojmë në kapacitete ushtarake të ketë edhe një dobi civile”, theksoi Vengu.
Laboratori kryen 45 analiza kryesore nga spektri klinik, biokimik dhe bakterologjik, të rëndësishme për diagnostikimin dhe kontrollin e shëndetit të ushtarakëve, me teknologji bashkëkohore të njëjtë me atë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në stafin e laboratorit punojnë 13 persona, specialistë civilë dhe ushtarakë./E.P-dritare.net

















