
Ministri Pirro Vengu prezanton 3 prioritetet për modernizimin e flotës ajrore shqiptare
Dritare.net
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka zbuluar tre prioritetet kryesore të qeverisë për modernizimin e flotës ajrore shqiptare, gjatë një takimi në Bazën Ajrore të Farkës, në kuadër të Rivlerësimit Strategjik të Mbrojtjes (RSM).
Në fokus të këtij procesi janë investimet në modernizimin e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore, përmirësimi i infrastrukturës së bazave ajrore, si dhe zhvillimi i burimeve njerëzore për Forcën Ajrore. Ministri Vengu njoftoi se një nga projektet kyçe do të jetë edhe rihapja e Shkollës së Aviacionit në Vlorë.
“Tre prioritetet tona janë: modernizimi i flotës, pajisjeve dhe teknologjisë, përfshirë sistemet meteorologjike dhe ato të mbrojtjes kundërajrore; zhvillimi i infrastrukturës në bazat ajrore kryesore si Gjadër, Rinas, Farkë, Kuçovë dhe Vlorë për të rritur sigurinë dhe efektivitetin në misione ushtarake dhe civile; si dhe specializimi i burimeve njerëzore me rihapjen e shkollës së aviacionit dhe trajnimin e pilotëve, teknikëve dhe ekspertëve të sistemeve pa pilot,” deklaroi ministri.
Ai shtoi se përveç investimeve infrastrukturore, do të ketë edhe rritje të trajtimit financiar dhe promovim të karrierës ushtarake për të rinjtë shqiptarë.
Vengu siguroi se po vijon bashkëpunimi intensiv me komandat e Forcës Ajrore, strukturat operacionale dhe partnerët ndërkombëtarë për ndërtimin e një force ajrore moderne, efikase dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes./K.C/dritare.ner

















