Na ndiqni edhe në

Shqip

Gjon Bruçi: Si ishte ushtria në kohën e Hoxhës!

Gjon Bruçi: Si ishte ushtria në kohën e Hoxhës!

Gjon Bruçi, ish-oficer i artilerisë dhe drejtues i Partisë së Punës, rrëfen nga përvoja e tij sesi funksiononte ushtria shqiptare në kohën e Enver Hoxhës. Një ushtri e disiplinuar, e stërvitur dhe e përkushtuar, edhe në kushte ekstreme.

“Në vitet ‘60-‘70, ishim gati për çdo situatë. Unë vetë kam shërbyer 4 vjet e 2 muaj në malet e Përmetit. Në Postenan, në lartësinë 1552 metra, me borë dy metra lartësi, pa energji elektrike, me ushqime të thata dhe mjete minimale, ruanim kufirin dhe pozicionet strategjike.”

Bruçi tregon se nuk kishte luks, por kishte motivim. Armatimi ishte serioz: topa 152 mm, pozicione të mbrojtura dhe një sistem komunikimi të ndërtuar me mund.

“Kishim motorë që ngarkonim me dorë për të përdorur radiot. Përdornim fenerë për sinjalistikë. Ishim vetëm 4 vetë në bazë, por nuk u tërhoqëm kurrë. Flinim aty, gatuanim me dru, matnim pozicionet me orë kronometrike dhe ecnim me ski për të patrulluar.”

“Sot s’kemi më as tank, as mortajë, atëherë ishim shtet me dinjitet”

Krahasimi që bën Gjon Bruçi mes ushtrisë së dikurshme dhe asaj të sotme është i ashpër:

“Sot kemi vetëm 3,000 ushtarë. Nuk është as një brigadë malore. Atëherë kishim qindra mijëra të përgatitur, në çdo cep të territorit. Sot nuk mbrojmë dot as malin e Robit.”

Ai kritikon faktin që Shqipëria hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në fillim të viteve 2000 dhe ka kaluar në një ushtri me pagesë, që sipas tij, nuk ka më as strukturë, as moral.

“Shkuam nga një ushtri popullore, në një formacion simbolik. Sot, nëse ka luftë, askush nuk do të shkojë vullnetarisht. Sepse kemi 30 vjet që nuk përgatitemi për asgjë.”

“Ushtria e Enverit kishte edhe kulturë, edhe ideal”

Sipas Bruçit, një nga dallimet më të mëdha ishte fakti që ushtria nuk ishte vetëm një strukturë ushtarake, por edhe kulturore dhe edukative:

“Organizonim veprimtari me fshatrat, kishim edukim ideologjik, por edhe moral. Oficeri ishte pjesë e komunitetit, jo i shkëputur prej tij. Kishim dinjitet dhe vetëbesim. Sot mungon kjo frymë.”/dritare.net