
Emir Kurtishi, jurist
Sot, edhe sporti ka konotacion politik. Dikush mund të thotë se çka kërkon politika në sport!? Për shembull, grekët lojrat olimpike i kanë shfrytëzuar për ta afirmuar kulturën dhe traditën e tyre dhe ia kanë dalë me sukses. Ndaj, sot e kësaj dite, grekët në botë perceptohen ndryshe (Xhaferi 2004:330). Edhe maqedonasit, nuk bëjnë përjashtim nga kjo. Nuk është hera e parë që nëpër fusha sportive dhe nëpër stadiume ku zhvillohen ndeshje të ndryshme sportive, qoftë atje ku marrin pjesë shqiptarët apo edhe në mungesë të tyre, shfrytëzojnë rastin për ta shprehur mllefin duke brohoritur: “vdekje për shqiptarët”, “Maqedoni pa shqiptarët”, “komora gazi për shqiptarët” e të ngjajshme, që syri na është mësuar duke i lexuar edhe nëpër mure të ndryshme të qytetit dhe jo vetëm. Dikur këto grafite e patën pushtuar tërë shtetin, saqë edhe nëpër muret e xhamisë, nuk shkruante “vdekje për myslimanët”, por “vdekje për shqiptarët”! Për hir të së vërtetës, këtë gjithmonë e kërkon një grup i caktuar i tifozëve që mundohen mllefin e tyre politik ta manifestojnë me urrejtjen e tjetrit. Në esencë, kjo ka një shpjegim të thellë politik, por edhe historik do të thoja.
Ku duhet ta kërkojmë burimin e konfliktit, apo të shprehjes së një mllefi të tillë të pakuptimtë politik, por tejet të rrezishkëm në përmbajtje, që kërkon vdekjen e tjetrit?
Pavarësia e shtetit maqedonas, nuk është në vetvete një fushë interesante për gjetjen e fillit të problemeve të tilla, sado që politika është munduar të fut përçarjen e dy popujve, pra maqedonasve dhe shqiptarëve, sërish nuk ia ka dalë me sukses deri në fund. Mirëpo, margjinalizimi i shqiptarëve, cungimi i të drejtave të tyre kombëtare dhe politike që i kanë gëzuar dikur pjesërisht dhe me zor në ish Jugosllavi, të përmirësuara dhe të avancuara me Kushtetutën e vitit 1974, pavarësia e shtetit maqedonas, ua mori edhe këto të drejta shqiptarëve. Me vetë faktin që maqedonasit e ndërtuan shtetin e tyre me karakter etnik dhe jo atë qytetar, kjo shmangie e sanksionoi padrejtësinë në sistemin juridik të ardhshëm të shtetit. Këtë deformacion të sistemit, nuk arriti gjatë kohë ta rregullojë as kushtetuta e as ligjet që u miratuan në Kuvendin e RM-së. Me këtë, automatikisht, shqiptarët u shndërruan në qytetarë të rendit të dytë dhe në situata të tilla konfliktet bëhen të pashmangshme, sepse njeriu aty ku nuk ndihet i barabartë, natyrisht se lindin fenomene të natyrshme reaguese për kërkimin e barazisë dhe ndodhi ajo që ndodhi dhe paqja u arrit me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me çka shqiptarët fituan disa të drejta.
Kjo frikë apo paranojë e maqedonasve se shqiptarët synojnë rrëmbimin e shtetit të tyre dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe, i ka ndjekur dhe i ndjek edhe sot e kësaj diteje edhe përkundër faktit që shqiptarët e kanë dëshmuar veten në mijëra raste se janë për krijimin e një shteti të përbashkët, me çka do ta ndajnë fatin e tyre së bashku. Një pjesë bukur e mirë, këtë e ka kuptuar me kohë dhe herëpashershëm në Maqedoninë e Veriut ka mbretëruar një situatë relaksuese sa i përket marrëdhënieve ndëretnike. Gjithmonë, këtij “zjarri” dikush i ka fryrë me apo pa qëllim dhe sërish gjakrat janë nxehur, siç ndodhi tash në ndeshjen e basketbollit me Maqedoninë dhe Rumaninë. Megjithëse bëhet fjalë për një grup të margjinalizuar, mirëpo fyerjet e tilla konsiderohen si skandaloze, sidomos ku nuk ka të bëjë me elemente shqiptare, siç ishte ndeshja në fjalë.
Arsyeja që më shtyri ta studioj këtë ngjarje, ka të bëjë një detaj interesant që më erdhi në kokë derisa po i shikoja pamjet e tifozëve duke brohoritur në sallën sportive të re në Kumanovë dhe natyrshëm më doli nga goja emri i Gëtes!
Ç’faj kishte Gëte!?
Në Veprën e Parë të Arbën Xhaferit, dikur e pata lexuar një detaj interesant, që s’më kishte vajtur mendja asnjëherë deri aty. Me këtë rast, u detyrova ta lexoj sërishmi dhe ta gjej veten duke shkruar këtë shkrim.
Johan Volfgan Gëte, sipas Xhaferit ka qenë i mahnitur nga ideja se në kohën antike njeriu paska
pasur zhvillim harmonik. Në qenien e tij ekzistoka baraspesha ndërmjet arsyes dhe ndjenjës ose elementit apolonik (racional) dhe atij dioniziak (shqisor). Kjo harmoni, sipas Gëtes qenka humbur gjatë historisë së qytetërimit perëndimor. Këto mendime paskan qenë prezente edhe në mesin e intelektualëve francez, kryesisht në rrethin e shkrimtarit, filozofit Zhan Zhak Rusosë, i cili ishte poashtu ithtarë i mendimit se duhet të rikthehemi natyrës. Brenda një koheje të shkurtër, sipas këtyre koncepteve, qytetërimi filloi të perceptohej si një barrë e kotë që e dëmton zhvillimin harmonik të njeriut.
Pandehma e Gëtes se njeriu antik paska pasur zhvillim harmonik e shtyri atë ta verifikojë hipotezën e tij. Ai ishte i bindur se argumentet, dromcat e një bote ideale të humbur gjatë zhvillimit të qytetërimit perëndimor mund të gjenden në gojëdhënat e popujve të Ballkanit. Në atë kohë, me të kishte bashkëpunim të dendur lingusti i njohur slloven Jernej Kopitar. I rrezatuar edhe ai nga kjo ide mahnitëse, gjetjen e harmonisë së humbur të njeriut, e angazhoi etnologun serb Vuk Karaxhiqin që të fillojë t’i regjistrojë baladat e popujve të Ballkanit, në mesin e tyre edhe disa të traditës shqiptare. Që në atë kohë, në disa qarqe intelektuale serbe, filloi procesi i adhurimit të joracionales, të vetvetes, të asaj që i munguaka qytetërimit perëndimor. Shpeshherë ndodh transformim i çuditshëm i ideve, kur ato, nga majat intelektuale, nga një elitë e zgjedhur, zbresin në shtresat e gjera të popullatës. Kështu pësoi edhe ideja e Gëtes dhe intelektualëve të tjerë që vazhdimisht kishin qëndrim kritik ndaj çdo fenomeni, pra edhe të traditës së tyre. Keqkuptimi lindi kur këtë kritikë të trashëgimisë racionale në dëm të harmonisë së imagjinuar të periudhës antike, disa e kuptuan si konstatim se kultura perëndimore qenka e degjeneruar, se Evropa qenka e kalbur dhe e pashpresë që ajo vetë të rimëkëmbet. Ky ligjërim anti Evropë u bë dominant te popujt që kishin zili dhe urrejtje për zhvillimin marramendës shkencor, ekonomik dhe politik të Evropës.
Siç vëren Xhaferi, në mesin e këtyre popujve që e kundronin Evropën si një sistem vlerash të degjeneruara ishte edhe populli serb. Siç ndodh zakonisht, e paaritshmja njolloset, për ta arsyetuar realitetin e mjerë. Prej kohës së Vuk Karaxhiqit, zuri të lëshojë rrënjë ideja se primitivja, e natyrshmja, origjinalja, irracionalja janë vlera kundruall racionales që preceptohej si vlerë jo e natyrshme. Ky keqkuptim do të përfundojë me idenë se ka ardhur koha që në skenën historike të dalë barbarogjeniu, njeriu i natyrës, i egri fisnik që duhet ta rigjenerojë qytetërimin e kalbur perëndimor. Kjo linjë do të përfundojë me krime barbaregjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Jo më larg se këto ditë, e dëgjova edhe një intervistë të një këngëtari rok&roll maqedonas, i njohur si Kamikaza, ish kandidatë i pavarur për Qytetin e Shkupit, por i mbështetur nga një parti me ideologji politike djathtise ekstreme. Në atë podkast, meqenëse ka qenë edhe vet atlet, kishte patur rast tash së fundmi që t’u shpërndajë shpërblime të rinjve nga shtete të ndryshme të botës në lojrat olimpike për të rinj që janë zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, në mesin e tyre edhe një altlet grekë. Ai me këtë krenohej se sa të mëdhenj janë maqedonasit, pavarësisht se kishin patur kontest të ashpër në lidhje me çështjen e emrit. Sipas tij, ky atlet i ri, nuk ka faj me atë se çfarë ndodhë në shtetin e tij. Më tutje vazhdon se ka miq bullgarë dhe shpesh zihen për çështjen e identitetit duke pirë birra. Sipas tij, ai u thotë se unë e di se çka jam dhe se nuk ka nevojë t’i tregojnë se çka është ai dhe ndaj kësaj pyetjeje shpesh i pyet edhe ai njëjtë e këtu tha sërish zihemi dhe ata nuk kanë përgjigje racionale dhe objektive dhe vazhdojmë me pirjen e birrave. Në esencë, ky këngëtarë mundohej t’i tregonte bashkëbiseduesit karshi se ai s’ka nevojë t’i tregojë se a është atlet ai (Kamikaza) apo jo, sepse këtë e dëshmon shumë lehtë duke e nxjerr certifikatën e tij, kështu që tha se është e njëjta edhe me përkatësinë e tij kombëtare. Kush i ka faktet në duar, e drejta anon nga ai! Po çfarë fakte se...!
Ky zaptim mbi Maqedoninë Antike, si nga ana e grekëve, ashtu edhe nga ana e maqedonasve, ka sjellë në konflikte historike të panevojshme. Për shembull, për intelektualin Branko Merxhani, mitet e tilla i quan përalla, prandaj hipotezat për prejardhjen pellazgjike të shqiptarëve i quan pretendime të kota. Ai e afirmon të tashmen, shqiptarin e ri i cili duhet të jetë i arsimuar që t’i kuptojë drejtë proceset historike (Xhaferi, 2009:324).
Së këndejmi, siç konstaton edhe Xhaferi, marrëzitë e këtilla, etja për relevancë globale, grandomania qesharake prodhon krizë që manifestohet si fenomen i pakënaqësisë me realitetin, me zhvillimet historike që nuk janë në përputhje me parashikimet e tyre.
Vetëm një popull i cili ka jetuar gjatë në frikë nga fqinjët, grindet për gjëra të cilët në botën normale zgjidhen me kompromis politik./dritare.net

















