
Melinda Gates: Ja si i rrita tre fëmijët e mi!
Dritare.net

Fëmijët e Melinda French Gates u rritën në një nga familjet më të pasura në botë. Por ajo dhe bashkëshorti i saj i atëhershëm, Bill Gates, nuk donin t’i rrisnin si fëmijë të përkëdhelur dhe të përkënaqur nga pasuria. Ata punuan për t’ju dhënë një fëmijëri që i ngjante asaj të një familjeje të klasës së mesme, tregoi Melinda për The New York Times të dielën.
“Mendoj se ishte një rritje shumë më e ngjashme me atë siç u rrita unë: në një familje të klasës së mesme, ku paratë vendosnin nëse do merrja një palë këpucë shtesë apo jo, apo jo? Dhe mendova se ky ishte një parim i mirë për të pasur,” tha ajo.
Melinda u rrit në Dallas, si një nga katër fëmijët e një inxhinieri aeronautike dhe një amviseje. Ajo u martua me bashkëthemeluesin e Microsoft-it, Bill Gates, në vitin 1994 dhe çifti rriti së bashku tre fëmijët e tyre përpara se të divorcoheshin në vitin 2021.
Gjatë intervistës, asaj iu bë pyetja se si prindërit e pasur mund t’i mbajnë me këmbë në tokë fëmijët e tyre domethënë, t’i rrisin të jenë të edukuar dhe jo të përkëdhelur nga privilegji. Përgjigjja e saj ishte e thjeshtë dhe e kuptueshme për shumë prindër pagesa mujore (rroga xhepi).
“Para së gjithash, ata kishin një pagesë mujore, kështu që absolutisht nuk ua blinim gjërat pa kriter,” tha French Gates. “Dhe ata ose duhej ta blinin diçka me atë shumë, ose ta vendosnin në listën e dëshirave që ndoshta do ta merrnin nga gjyshërit ose nga ne për ditëlindje ose për Krishtlindje.”
Sipas një interviste të mëparshme për Time në 2014, fëmijët e Gates u nxitën të kursejnë të paktën një të tretën e pagesës mujore për ta dhuruar për bamirësi dhe prindërit e tyre do ta dyfishonin shumën e dhuruar.
Melinda tregoi gjithashtu se ishte shumë e hapur me fëmijët për faktin që të jesh nga një familje shumë e pasur mund të të largojë nga realiteti dhe nga shokët: ajo i paralajmëroi ata që të mos mburreshin kurrë për udhëtime luksoze, sikur ato ishin diçka normale për këdo.
“Unë nuk doja kurrë të rrisja fëmijë të pasur që shikonin emrin e familjes së tyre në një ndërtesë dhe mendonin se meritojnë trajtim të veçantë,” shtoi ajo.
“E dini çfarë?” tha French Gates për The New York Times “Shkova në shkollë me disa nga ata fëmijë në Universitetin Duke, dhe i premtova vetes që nëse ndonjëherë do kisha burime në dispozicion, nuk do ishin të tillë fëmijët e mi.”
Qoftë të pasur apo jo, fëmijët që marrin një pagesë mujore ose fillojnë një punë mësojnë të punojnë për atë që duan dhe mësojnë rëndësinë e menaxhimit të financave personale, thotë këshilltarja financiare dhe autorja Coventry Edwards-Pitt.
Edhe miliarderi tjetër, Mark Cuban, ndan të njëjtin mendim. Ai ka thënë në një episod të emisionit “Steve on Watch” në vitin 2020 se fëmijët e tij kishin një rregull të qartë: do të duhet të punojnë dhe të fitojnë për të blerë ato që dëshironin.
“U them: Pas shëndetit tuaj, gjëja më e rëndësishme për mua është që të mos bëheni të përkëdhelur dhe të llastuar,” tha Cuban. “Nuk do t’ju shkruaj çeqe. Nuk do t’ju jap një kartë krediti. Nuk mund të blini çfarëdo që dëshironi.”
Sipas psikoterapistes Amy Morin, nëse nuk ua jep fëmijëve gjithçka që kërkojnë, ke më shumë gjasa t’u ndërtosh atyre një etikë pune të fortë. Ajo tha për CNBC Make It se fëmijët që rriten për t’u bërë të suksesshëm zakonisht e mësojnë që herët se nëse duan të arrijnë diçka, nuk do ta kenë të lehtë./E.P-dritare.net

















