
Kujdes ku parkon. Policia aksion në Tiranë!
Dritare.net
Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në terren në kuadër të aksioneve kundër parkimeve të gabuara, që pengojnë qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve në kryeqytet.
Si rezultat, janë proceduar penalisht 24 shtetas për bllokim të qëllimshëm të lëvizjes në hapësira publike, në bazë të nenit 293 të Kodit Penal.
Gjatë verifikimeve të fundit nga Policia Rrugore, janë konstatuar automjete të parkuara në mënyrë të parregullt në disa rrugë të qytetit. Mjetet janë larguar me karotrec, ndërsa drejtuesit e tyre, të moshave nga 23 deri në 65 vjeç, përfshirë shtetasit me inicialet R. M., E. H., I. M., F. H., S. D., janë vënë nën hetim.
Policia e Tiranës bën me dije se aksioni do të vijojë pa ndërprerje, me fokus garantimin e lëvizjes së lirë dhe sigurinë rrugore.
“Respektoni rregullat – rruga është për të gjithë”, apelon policia, duke kërkuar ndërgjegjësim qytetar për të shmangur penalizimet dhe kaosin në trafik./L.F-dritare.net

















