Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjedh nesër kreun e ri të SPAK-ut. Reagon BE-ja
Dritare.net

Nesër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vendosë për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke zëvendësuar Altin Dumanin. Ky hap konsiderohet vendimtar për drejtimin e SPAK dhe për avancimin e reformave në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në një takim të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato. Në një postim në rrjetet sociale delegacioni i BE-së në Tiranë shkruan:
“Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, mori fjalën në takimin e sotëm të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u diskutuan mënyrat për të rritur efikasitetin, cilësinë dhe integritetin në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi dy çështje që mbeten kryesore për gjyqësorin: vlerësimet realisht transparente dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe standardeve për sigurinë në gjykata. Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”,- shkruhet në postimin e BE-së në rrjetet sociale./K.C/dritare.net