Na ndiqni edhe në

Shqip

Mark Palnikaj tregon faktet historike: Si u mbijetoi gjuha shqipe, 500 viteve terror!

Mark Palnikaj tregon faktet historike: Si u mbijetoi gjuha shqipe, 500 viteve

I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Mark Palnikaj sjell dëshmi rrëqethëse nga arkivat mbi metodat që Perandoria Osmane përdori për të zhdukur identitetin shqiptar. Ai përshkruan se si gjuha shqipe dhe feja e krishterë u mbajtën gjallë falë sakrificës sublime të klerikëve dhe patriotëve, shpeshherë duke paguar me jetë. Studiuesi përmend botimet e hershme si 'Doktrina e Krishterë' (1574) dhe veprën monumentale të Pjetër Bogdanit, 'Cuneus Prophetarum' (Çeta e Profetëve), të cilën Bogdani e botoi në shqip dhe italisht, duke dëshmuar përpunimin e lartë të gjuhës shqipe në shekullin e 17-të.


Megjithatë, pjesa më tronditëse e këtij segmenti është përshkrimi i dhunës sistematike. Palnikaj rrëzon mitin e 'konvertimit paqësor' apo të privilegjeve. Ai tregon raste konkrete të dokumentuara, si martirizimi i klerikëve në Shkodër e Tivar, të cilët u ngulën në hu (metoda e 'palit') sepse refuzuan të konvertoheshin në myslimanë. Ai përmend rastin e vitit 1644, ku një prifti të ri 23-vjeçar iu pre trupi dhe u torturua barbarisht.

Palnikaj argumenton se konvertimi ishte shpesh çështje mbijetese fizike ose shmangie e dëbimit. Ai sjell në vëmendje letrën e vitit 1689 të krerëve të Gashit dërguar Papës, ku kërkojnë priftërinj sepse 'po shuhemi' nën presionin osman. Sipas tij, osmanët zbatuan një politikë të shkatërrimit total: pas pushtimit të Shkodrës më 1479, për 200 vjet nuk u lejua asnjë kishë apo prift në qytet. Përkthimi i dhunshëm i popullsisë, ndërrimi i emrave dhe ndalimi i gjuhës ishin instrumente për të tjetërsuar kombin, duke krijuar atë që Palnikaj e quan 'një dëm të pariparueshëm' që ndihet edhe sot./K.C/dritare.net