Skënderbeu, boshti ynë shtetndërtues dhe kombformues!
Dritare.net

Nga Albin Kurti
Edhe Gjergj, edhe Skënder. Gjergjin s’e harroi, Skënderin s’e hoqi. Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbe, është figura më e rëndësishme dhe më frymëzuese e të gjitha epokave të historisë së shqiptarëve. Sot, më 2 mars, e kujtojmë për rolin e tij përbashkues si udhëheqës në themelimin e Lidhjes së Lezhës, më 2 mars të vitit 1444. Aty, Skënderbeu arriti t’i bashkonte në një front antiosman, zotërit arbërorë: Gjergj Arianit Komneni, Andre Topia me të dy bijtë e tij Komnenin dhe Muzakën si dhe me nipin Tanushin; Lekë Zaharian; Nikollë dhe Pal Dukagjinin, Lekë dhe Pjetër Dushmanin; Pjetër Spanin, Stefan Gjurashin etj.
Kuvendi i Lezhës u organizua tre muaj pas kthimit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443 dhe shpalljes së kryengritjes antiosmane prej tij. Aleanca e prijësve arbërorë e lidhur në Lezhë nën drejtimin e Skënderbeut, erdhi më shumë se dy dekada prej kur shumë nga territoret e Arbërisë ishin pushtuar prej osmanëve dhe ishin përfshirë në sistemin osman të timarit. Në anën tjetër, fushatat ushtarake të drejtuara nga Janosh Huniadi, e kishin ndalur përparimin e mëtutjeshëm të invazionit osman në drejtim të territoreve hungareze. Kjo e detyroi Sulltan Muratin II që pikërisht më 1444, të niste negociatat për paqe me vendet e krishtera në Perëndim.
Si një strateg ushtarak i shquar dhe me finesë diplomatike, Skënderbeu e zgjodhi për seli themeltare të Lidhjes qytetin e Lezhës, atëbotë zotërim venedikas. Kështu e shmangu çfarëdo animi kah fisnikët pjesëmarrës dhe i përçoi mesazh Republikës së Venedikut që nuk kishte plane kundër saj. Duke mos e imponuar dhe sipërvendosur rolin e tij, Skënderbeu u caktua “kapiten i përgjithshëm”, duke qëndruar si i pari ndër të barabartët.
Megjithëse pas disa kohësh Lidhja e lidhur në Lezhë u çthur dhe disa nga fisnikët e braktisën, ajo dha shembullin e rëndësisë së aleancave politike dhe strategjike. Pavarësisht ndryshimeve të shumta gjeopolitike dhe betejave me ushtritë osmane, Gjergj Kastrioti Skënderbeu arriti që me vendosmëri t’i qëndronte pas projektit të tij të rezistencës antiosmane deri kur vdiq, më 17 janar 1468. Atyre që u dorëzuan ose u mposhtën, iu zbehën emrat gjatë historisë, kurse Skënderbeu që për 25 vite rezistoi, ia dha emrin e tij jo vetëm shekullit XV, duke u kthyer në bosht simbolik dhe frymëzues për kombformim dhe shtetndërtim te shqiptarët.
Shqiptarët e shqiptaret u bënë bijë e bija të shqiponjës, simbolit të Kastriotëve që u bë flamur kombëtar./dritare.net