Opozita ka 200 deputetë sot në seancën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit!
Dritare.net

Nga Ilir Demalia
Parlamenti shqiptar përbëhet nga 140 deputetë. Megjithatë, në mënyrë thuajse groteske, opozita arrin të numërojë sot plot 200 deputetë – të paktën sipas firmave që ka mbledhur për kandidatët për Avokatin e Popullit.
Sot Kuvendi pritet të votojë për këtë post. Mazhoranca deklaron se i ka votat dhe se e zgjedh vetë kandidatin, ndërsa opozita ka shpikur një front të ri “lufte” politike, duke u kapur pas faktit se – sipas traditës pas vitit 1990 – Avokati i Popullit u është lënë gjithmonë atyre. Në realitet, ky post ka mbetur më shumë honorifik se sa funksional. Avokatët e Popullit ndër vite më shumë kanë rregulluar punët e tyre, ashtu si shumica e politikës dhe administratës, sesa hallet e qytetarëve.
Por ajo që e bën opozitën të duket sot realisht qesharake është ky absurd matematikor:
Përveç faktit që 35 deputetë kanë firmosur për Endri Shabanin – i vetmi kandidat serioz dhe profesional për këtë detyrë – opozita ka paraqitur edhe pesë kandidatura të tjera.
Ja lista e firmave të mbledhura nga opozita:
• Adriana Kalaja – 44 firma
• Aranita Brahaj – 35 firma
• Besim Ndregjoni – 34 firma
• Endri Shabani – 35 firma
• Skënder Haluci – 30 firma
• Tartar Bazaj – 28 firma
Nëse bëjmë një llogaritje elementare, del se opozita ka 200 deputetë: koalicioni PD me rreth 50 deputetë duket të ketë firmosur disa herë për kandidatët, plus 35 për Endri Shabanin. Një absurditet që flet vetë.
Ky është një tregues i qartë i kaosit politik, jo vetëm brenda Parlamentit, por veçanërisht brenda opozitës, e cila prej kohësh është shndërruar në objekt talljeje publike, një mishmash tragjikomik që vetëm i shton krizat e veta të brendshme.
Le të presim sot “Portokallinë” e radhës në Kuvend – sepse sa për seriozitet, ai kuvend ka vite që konkuron “Big Brother” apo “Përputhen”./dritare.net