Një kirurg më paralizoi. Pastaj zbulova se isha një nga 200 viktimat e tij
Dritare.net

Nga Lily Shanagher-The Telegraph
Fay Pelloie rrezikon paralizën si pasojë e operacioneve të dështuara nga neurokirurgu Sam Eljamel. Shpinën e ka të dëmtuar përfundimisht pas ndërhyrjeve të tij.
“Çdo ditë nuk di nëse kjo do të jetë dita kur nuk do të mund të eci më. Nuk ka një afat kohor, ndaj përpiqem të eci sa më shumë tani,” thotë Fay, 72 vjeçe. Operacioni i saj i fundit me Eljamel ishte një nga shtatë ndërhyrjet që i shkaktuan dhimbje të vazhdueshme dhe do ta çojnë në paralizë. Fay është një nga rreth 200 pacientë që u dëmtuan nga Eljamel midis 1995-ës dhe 2013-ës, kur ai u pezullua. Disa pacientë u zgjuan nga operacioni pa mundësi për të ecur, ndërsa në një rast ai hoqi pjesën e gabuar të trupit.

Eljamel dha dorëheqjen në maj 2014, u largua nga vendi dhe hoqi emrin nga regjistri mjekësor i General Medical Council (GMC). Sipas raportimeve, ai vazhdon të operojë në Libi.
NHS Tayside, ku ai punonte, ka kërkuar falje dhe një hetim për 138 pacientë është duke u zhvilluar, me dëshmi që do të fillojnë vitin e ardhshëm. Por për Fay dëmi është i pakthyeshëm.

Në 2003, kur ishte 50 vjeçe, Fay kërkoi ndihmë për një nerv të dëmtuar në krah. Ajo vendosi të bëjë operacion privat me Eljamel, i cili atëherë ishte një neurokirurg i njohur dhe këshilltar qeveritar. Operacioni nuk shkoi si duhet dhe ajo u tha se do t’i duhej një ndërhyrje tjetër. Gjatë tetë viteve të ardhshme, Eljamel e operoi gjashtë herë të tjera, shumica operacione të panevojshme ose të dështuara, duke përfshirë vendosjen gabim të implanteve në shtyllën kurrizore. Operacioni i fundit në 2011 shkaktoi dëmtime të mëtejshme të nervave, përcjell dritare.net

Fay ka kryer katër operacione korrigjuese në Francë, por mjekët thonë se nuk mund të bëjnë më shumë. Ajo do të mbetet e paralizuar nga mesi e poshtë dhe për të përballuar dhimbjet e vazhdueshme po merr morfinë. Dhimbjet i kanë penguar të punojë dhe të vazhdojë aktivitetet që donte si golf, ski dhe ngjitje.

Një tjetër paciente, Jules Rose nga Kinross, u operua për një tumor jomalinj në tru. Eljamel i hoqi gjëndrën e lotit dhe jo tumorin. Ajo e besoi mjekun dhe pranoi një operacion të dytë, pa e ditur se ai ishte nën hetim.

Grace Williams, 80 vjeçe, u operua për nerv shiatik në 1999-ën dhe mbeti pothuajse e shtrirë për muaj të tërë. Sot ka nevojë për paterica dhe dhimbja e këmbës vazhdon.

Eljamel mund të shmangë drejtësinë në Mbretërinë e Bashkuar, pasi tani operon në Libinë e tij. Ndërkohë, pacientët kërkojnë llogari nga NHS Tayside për dëmshpërblimin dhe trajtimin e tyre.
“22 vjet vuajta për shkak të atij njeriu,” thotë Fay. “Ai më mori vitet më të mira të jetës sime.”/K.C/dritare.net