Si do të bëhet votimi për zgjedhjen e kreut të SPAK-ut!
Dritare.net

Katër kandidatët për drejtimin e ri të SPAK, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodjan Braho, dolën sot para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në një seancë të zhvilluar nga ora 09:00 deri në 14:50, me praninë e ndërkombëtarëve. Gjatë prezantimeve, ata paraqitën platformat, arritjet dhe dosjet më të rëndësishme që kanë hetuar gjatë karrierës së tyre.
Ndërkohë, këtë vit procesi i votimit në KLP do të zhvillohet sipas një rregulloreje të re. Sipas ndryshimeve, votimi nuk do të kryhet më me dorë, por me fletë të bardhë, ku secili anëtar i KLP-së do të shënojë emrin e vet dhe emrin e prokurorit për të cilin voton. Ky format synon rritjen e transparencës dhe formalizimin e procesit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me rolin e kryetarit të KLP: ai nuk do të ketë më dy vota në rast barazimi, por vetëm një, duke e bërë procesin më të balancuar dhe të barabartë mes të gjithë anëtarëve. Nëse dy ose më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, zhvillohet një raund i dytë votimi mes tyre./K.C/dritare.net












