Adnan Xholi shpalos karrierën 28-vjeçare dhe vizionin për drejtimin e SPAK!
Dritare.net

Kandidati për drejtues të SPAK, Adnan Xholi, gjatë prezantimit të platformës së tij para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, vuri në dukje eksperiencën e tij të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe rolin që, sipas tij, duhet të ketë kreu i institucionit. Ai theksoi se për më shumë se dy dekada ka mbajtur pozicione drejtuese dhe ka qenë i përfshirë në hetime të rëndësishme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Vijoj sot para jush me një eksperiencë mbi 27 vite pa shkëputje në sistemin e drejtësisë.”
Xholi nënvizoi se drejtuesi i SPAK duhet të jetë një menaxher i aftë për të garantuar pavarësinë e prokurorëve, të sigurojë kushtet e nevojshme të punës dhe të orientojë burimet njerëzore drejt rezultateve konkrete.
“Roli i drejtuesit lidhet drejtpërdrejt me rritjen e besimit të publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë,” theksoi ai, duke shtuar se natyra dinamike e kriminalitetit kërkon vëmendje të vazhdueshme dhe koordinim të fortë institucional.
Ai bëri të ditur se gjatë karrierës së tij ka drejtuar hetime të shumta në fusha të ndryshme, duke përfshirë trafikun e drogës, armëve, pastrimin e parave dhe çështjet e trafikimit të qenieve njerëzore. Xholi theksoi edhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me prokuroritë dhe agjencitë ndërkombëtare, duke përmendur drejtimin e pesë skuadrave të përbashkëta hetimore.
Karriera e tij, sipas Xholit, ka përfshirë përfaqësimin e prokurorisë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, si edhe kontributin në hartimin e akteve administrative dhe proceset e reformës në drejtësi. Ai shtoi se suksesi i një prokurori matet në gjykatë, ndërsa drejtuesi duhet të jetë i pari që merr përgjegjësi dhe jep shembull në zbatimin e ligjit.