Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Braho: Në vitin 2023 u konfiskuan 18.4 mln euro, dyfishi i buxhetit të SPAK!

Braho: Në vitin 2023 u konfiskuan 18.4 mln euro, dyfishi i buxhetit

Kandidati për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, prezantoi para Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) vizionin dhe prioritetet e tij për institucionin.

Braho theksoi rëndësinë e forcimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke rikujtuar disa nga çështjet që ka hetuar gjatë karrierës si prokuror. Ai përmendi veçanërisht konfiskimin e 18.4 milion eurove në vitin 2023, një shumë që sipas tij ishte dy herë më e madhe se buxheti i SPAK për të njëjtin vit.

“Ky kandidim është një angazhim për të forcuar më tej luftën kundër korrupsionit, duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtësisë,” tha Braho.

Ai nënvizoi se SPAK ka një kornizë strategjike dhe plane të qarta për drejtimin e çështjeve, komunikimin dhe reduktimin e dosjeve të mbartura. Nëse zgjidhet drejtues, Braho premtoi zbatimin e këtyre planeve dhe mbështetje të plotë për prokurorët e SPAK, të pandikuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Braho gjithashtu deklaroi se çdo çështje për korrupsion dhe krim të organizuar do të shoqërohet me hetim pasuror, ndërsa hetuesit do të përfitojnë trajnime të veçanta për të përmirësuar aftësitë e tyre profesionale. Ai theksoi gjithashtu parimin e barazisë para ligjit, duke garantuar se nuk do të ketë drejtësi selektive në hetime./dritare.net