Si i vlerëson Musabelliu Krajën dhe Dumanin!
Dritare.net

Kandidatja për drejtimin e SPAK, Doloreza Musabelliu, u pyet nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për një vlerësim të punës së Arben Krajës dhe Altin Dumanit. Ajo theksoi se krahasimet mes tyre janë të vështira për shkak të kushteve të ndryshme në periudhat që ata kanë drejtuar institucionin.
“Kraja drejtoi SPAK në momentet e para, kur nuk kishim as godinë dhe as hetues të mjaftueshëm, ndërsa periudha e Dumanit solli çështje të pjekura që kërkonin vëmendje dhe guxim për t’u çuar drejt gjykatës. Të bësh krahasime kërkon kushte të njëjta, dhe për mua ato nuk kanë qenë të njëjta. Të dy kanë dhënë maksimumin në kushtet që kishin”, tha Musabelliu.
Ajo shtoi se nuk e krahason veten me ish-drejtuesit: “Asnjëherë nuk krahasoj veten me dikë tjetër. Bëj atë që mund të bëj dhe gjithmonë jap më të mirën time.”
Musabelliu gjithashtu vlerësoi komunikimin efektiv të të dy drejtuesve me stafin e SPAK, duke nxitur kolegët të përparojnë me çështjet në fazë përfundimi dhe duke krijuar kushte për trajtim të duhur të çdo dosjeje.
Duke folur për karakteristikat e saj, Musabelliu theksoi pavarësinë, vendosmërinë dhe aftësinë për të komunikuar me kolegët si pika të forta që do të përdorte në drejtimin e SPAK, duke shtuar se është mësuar të përballet me presionet që lidhen me këtë detyrë./dritare.net