
Këshilli Bashkiak i Parisit merr vendimin, Ismail Kadare nderohet me pllakë përkujtimore në bulevardin “Saint-Michel”
Dritare.net
Në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, Këshilli Bashkiak i Parisit ka marrë një vendim për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën 63, bulevardi Saint-Michel. Në këtë adresë, Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku ai krijoi disa prej veprave më të bukura të letërsisë së tij.
Lajmin e bëri të ditur në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Francë, duke e cilësuar këtë vendim si një akt nderimi jo vetëm për Kadarenë, por për mbarë kulturën shqiptare.
“Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe, nëpërmjet tij njëkohësisht edhe Shqipërisë?dhe kulturës shqiptare, teksa votoi sonte në mbrëmje, me unanimitet, për vendosjen e pllakës me emrin dhe në nderim të Ismail Kadaresë, në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij. Faleminderit Parisit, faleminderit Francës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore evropiane dhe figura më e shquar e letërsisë shqiptare të shekullit XX.Ndër veprat e tij më të njohura përfshihen Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Prilli i thyer, Pallati i ëndrrave, Koncert në fund të dimrit.
Krijimtaria e Kadaresë është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, përfshirë Prix Mondial Cino Del Duca dhe Jerusalem Prize.

















