
Kapiten Arben Anamali, Dëshmor i Atdheut, Artion Vreto: Boll më me çmenduritë e turistëve!
Dritare.net
Artion Vreto, drejtues i “Sky Sports Center Albania” me qendër në kompleksin Green Coast në Dhërmi, i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, ngriti shqetësimin për mungesën e përgjegjësisë nga vetë turistët gjatë pushimeve.
Vreto theksoi se policia dhe strukturat shtetërore nuk mund të mbajnë përgjegjësi për “çmenduritë” e turistëve që shpërfillin këshillat dhe paralajmërimet e sigurisë në det. Ai përmendi me respekt dhe dhimbje rastin e dëshmorit të Atdheut, Arben Anamali, i cili humbi jetën teksa shpëtoi dy turiste që ishin futur në det në kushte të rrezikshme, pavarësisht këshillave për të mos hyrë.
“Arben Anamali është hero i vërtetë, por tragjedia që ndodhi me të duhet të na bëjë të reflektojmë: nuk mund të kërkojmë nga Policia të shpëtojë çdo aventurier që injoron rregullat dhe sinjalet e rrezikut në bregdet,” tha Vreto.
Ai solli në vëmendje edhe një tjetër episod të rrezikshëm, ku dy turistë së bashku me vajzën e tyre 5-vjeçare mbetën të izoluar në një plazh të Gramës, pasi kishin rrezikuar me kanoe në det të hapur. Rasti kërkoi ndërhyrje urgjente dhe vuri në rrezik jetën e tyre.
Sipas Vretos, mungesa e respektimit të rregullave nga turistët jo vetëm që rrezikon jetën e tyre, por edhe vë në presion të madh forcat e rendit, rojet bregdetare dhe operatorët lokalë.
View this post on Instagram
“Ka ardhur koha që të flitet hapur për përgjegjësinë personale në det. Pushimet nuk justifikojnë papërgjegjshmërinë. Nevojitet më shumë edukim dhe respekt për rregullat bazë të sigurisë,” përfundoi ai.
Deklarata e Vretos vjen në një kohë kur sezoni turistik në bregdetin shqiptar ka sjellë rritje të ndjeshme të fluksit të vizitorëve dhe, për fat të keq, herë-herë edhe të incidenteve në det. Ai apelon për bashkëpunim më të ngushtë mes strukturave shtetërore, operatorëve turistikë dhe vetë pushuesve, për të shmangur tragjedi të tilla në të ardhmen./l.F-dritare.net

















